Futbolli i rëndësishëm evropian dorëzon të mërkurën në mbrëmje (ora 21:00, në Tring Sport 1 HD) trofeun e parë të sezonit. Në “Vodafone Arena” të Stambollit vendosen përballë Liverpuli, fitues i Champions League dhe Chelsea, fitues i Europa Ligës, për t’i dhënë jetë kështu edicionit të 44-të të Superkupës së “Kontinentit të vjetër”. “Reds”, pasi iu gëzuan Championsit numër 6, tashmë janë në kërkim të Superkupës së katërt evropiane të historisë së tyre. Ndërsa Chelsea pasi fitoi të parën në vitin 1998, ka regjistruar dy humbje në 2012-n e 2013-n, kështu që synon të ndreqë gjithcka në tentativën e tretë. Në fakt, ajo e Stambollit do të jetë vërtet një ndeshje historike, për faktin se gjykimi i është besuar francezes Stéphanie Frappart, e para femër që do të drejtojë një finale të rëndësishme të futbollit të meshkujve. Kjo Superkupë ka edhe një farë shije revanshi për të dyja skuadrat, pasi kampionët e Evropës humbën “Community Shield” kundër rivalëve të Citit, prandaj tani duan të rregullojnë situtatën, duke rrëmbyer këtë trofe prestigjoz.
Të besuarit e Klopp janë favoritët, megjithëse duhet shikuar sa do të ndikojë në portë mungesa e të dëmtuarit Alisson, i cili do të qendrojë larg fushave për të paktën 2 muaj. Ndërsa skuadra e Frenk Lampard, që ka humbur gjatë merkatos dy pedina të rëndësishme si Hazard e David Luiz, paraqitet në gjendje aspak të mirë në këtë impenjim. Gjithsesi, blutë duan të reagojnë pas atij debutimi për t’u harruar në Premier League, me humbjen turpëruesen ndaj Man.Utd. Arena e këtij ballafaqimit mes Liverpool-it e Chelsea-t është nga ato idealet, pasi “Vodafone Arena” do të jetë i mbushur plot, gati për të ndezur derbin e panunmërt anglez në futbollin evropian gjatë këtyre muajve të fundit.