Superkupa e Italisë, ja shuma që do të përfitojë skuadra triumfuese

Sport

Superkupa e Italisë vlen 8 milionë euro. Ky është çmimi që do të përfitojë, Interi, Napoli, Lazio, apo Fiorentina. Turneu do të zhvillohet në Arabinë Saudite, por këtë herë me një format ndryshe. Për herë të parë, Superkupa do të luhet me 4 skuadra pjesëmarrëse, çka do të thotë se do të luhen 3 ndeshje, dy gjysmëfinale dhe një finale.

Interi është fituesi i 2 Superkupave të fundit dhe është sërisht skuadra zikaltër që konsiderohet më e favorizuar sesa të tjerat për të triumfuar. Duke u nisur nga forma aktuale, të besuarit e trajnerit Simone Inzaghi klasidikohen të parët e Serie A, me 51 pikë, kurse kundërshtari i tyre më i afërt në renditje nga skuadrat pjesëmarrëse në Superkupë, është Fiorentina që ndodhet në vendin e 4, me plot 17 pikë më pak sesa Interi.

Thënë këtë, gjigantët e Milanos mund ta shfrytëzojnë në maksimum ecurinë e tyre sezonale dhe të jenë ata triumfuesit e turneut të Superkupës.

Përveç titulllit, aspekti monetar është gjithashtu një tjetër motiv, për t’i shtyrë skuadrat që të japin maksimumin për të rrëmbyer trofeun. 8 milionë euro është një çmim i konsiderueshëm, ndërsa mediat përtej detit bëjnë me dije se nëse Interi triumfon, presidenti i klubit, Steven Zhang, do të shpërndajë 1.5 milionë euro bonus për futbollistët.

Ndeshjet gjysmëfinaliste të Superkupës janë Napoli vs Fiorentina dhe Inter vs Lazio. Ndeshjet do të luhen përkatësisht në datën 18 dhe 19 Janar, kurse finalja, në 22 Janar.