Vitet kalojnë, por Simeone mbetet. Derbi i radhës i Madridit, që kësaj here do të diskutohet në Talin për Super-Kupën e Evropës, do të shohë një tjetër sfidant përballë trajnerit argjentinas, ky i fundit mbetet në krye të Atleticos që prej vitit 2011. Julen Lopetegui do të jetë trajneri i pestë që do të provojë të fitojë kundër filozofisë së 48-vjecarit. Mourinho, Ancelotti, Benitez dhe Zinedine Zidane, kanë qenë sfidantët e së kaluarës. Në total janë 26 derbi nga të cilat janë fituar vetëm 8. 9 kanë qenë barazimet dhe po aq edhe humbjet.
El Cholo ka qenë vazhdimisht përballë projekteve më të financuara dhe po kështu edhe trajnerëve më me përvojë, por ka mundur të tregojë një natyrë tejet të veçantë të motivimit dhe taktikës në fushë. Gazeta Marca i kushtoi vëmendje speciale kësaj pjese duke analizuar secilin rival që Simeone ka pasur në të kaluarën. Kështu për sa i përket trofeve, një finale derbi të Madridit, El Cholo e ka fituar kundër Mourinhos në Copa del Rey në 2013-ën dhe kundër Ancelottit në Superkupën e Spanjës. Sidoqoftë djegin shumë dy finalet e Champions League-ës kundër Ancelottit dhe Zidane-it. Sipas gazetës Marca, askush nga trajnerët e së kaluarës nuk e ka nisur fillë me një derbi të Madridit debutimin zyrtar dhe aq më tepër me një trofe në diskutim. Kështu statistikat dhe përvoja e Simeones, favorizojnë më shumë Atleticon, por që kjo mbetet për t’u parë.