Sulmuesit e Interit rikthehen në momentin më vendimtar të sezonit

Sport

Sulmuesit e Interit rikthehen në momentin më vendimtar të sezonit. Fjala është për Romelu Lukakun dhe Lautaro Martinez, të cilët pas një thatësire të gjatë pa gjetur rrugën e rrjetës, janë rikthyer dhe po marrin mbi supe skuadrën zikaltër.

Të dy personazhet në fjalë, në ndeshjen e fundit, atë ndaj Lazios, të fituar 3-1 arritën të kombinonin së bashku, duke gatuar dy prej golave. Në dy finalizimet e Lautaros, një assist erdhi pikërisht nga këmbët e Lukakut.

Ndonëse nuk shënoi ndaj të kaltërve kryeqytetas, belgu asistoi, teksa një ndeshje më herët, në atë fitore 3-0 ndaj Empolit në transfertë, ku realizoi një dopietë, e gjithashtu asistoi sërish për Lautaro Martinez.

Përveçse ka një vend në Champions League për të siguruar për edicionin e ardhshëm, Interi ka për të luajtur gjithashtu edhe finalen e Kupës së Italisë ndaj Fiorentinës. Mirëpo, nuk mbyllet me kaq, pasi zikaltërit janë të kualifikuar edhe në gjysmëfinale të Champions League, aty ku do të përballen me rivaltët historikë të qytetit, Milanin.

Kur përpara janë një sërë sfidash kaq të rëndësishme, trajneri Simone Inzaghi, duket se tashmë e ka më të lehtë për të zgjidhur çështjen e sulmuesve. Nisur nga statistikat e 2 sfidave të fundit në Serie A, ndaj Empolit dhe Lazios, Lautaro dhe Lukaku kanë shënuar 5 nga 6 golat e ekipit. Si pasojë, në vijimësi, është mëse e mundshme që do të jenë pikërisht futbollistët në fjalë, të cilët do të zbresin në fushën e lojës që nga minuta e parë për 19 herë kampionët e Italisë.