Sulmuesi Luka Joviç: Kam refuzuar disa oferta për t’u bërë pjesë e Milanit

Sport

Luka Joviç prezantohet si një lojtar i Milanit dhe ka zbuluar se një ofertë nga klubi kuqezi e ka pritur deri në çastet e fundit, e për t’u bërë pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Stefano Pioli, ai ka refuzuar disa oferta të tjera.

“Për mua është një nder i veçantë të jem pjesë e këtij klubi të jashtëzakonshëm. Do bëj gjithçka që të ndihmoj ekipi të arrijmë objektivat e sezonit. Që fëmijë unë kam qenë një tifoz i Milanit, ashtu sikurse ishte babai im, apo edhe shokët e mi”, ka thënë fillimisht serbi.

Më tej, ish-lojtari i Real Madrid ka zbuluar se 3 vite më parë ai është kontaktuar nga Maldini, por gjërat nuk shkuan në rrugën e duhur dhe transferimi nuk u bë i mundur.

Për të fituar minuta me fanellën kuqezi, Joviç duhet të sfidojë një sulmues si Olivier Giroud. Megjithatë, ballkanasi është treguar i përulur, duke thënë se Olivier është një lojtar, nga i cili do të përpiqet të mësojë çdo ditë në stërvitje, e për më tepër, duke marrë parasysh karrierën e lavdishme të francezit.

Joviç ka treguar gjithashtu edhe disa nga bisedat me trajnerin Stefano Pioli, me këtë të fundit që i ka vlerësuar maksimalisht aftësitë e lojtarit dhe beson se ai do të ketë sukses me fanellën kuqezi.

E në fakt, Joviç ka premtuar pikërisht se tek Milani ai ka mundësinë të tregojë se është një sulmues i nivelit tepër të lartë. Për momentin, 25 vjeçari nuk është në 100% të formës së tij fizike, por sipas tij, kjo ka ardhur prej faktit se në 3 vitet e fundit nuk ka luajtur rregullisht.

Megjithatë, ai është i bindur se Milani është ambienti i duhur për të treguar vlerat dhe shpreson t’i rikthehet sa më shpejt formës së tij të dikurshme.