Sulmuesi kuqezi mbetet përfundimisht në Spanjë

Sport

Sulmuesi Rej Manaj ka bindur skuadrën spanjolle të Albacetes, pas shënimit të 6 golave gjatë 29 ndeshjeve të sezonit të fundit. Kështu që skuadra e Ligës së dytë spanjolle ka vendosur të blejë përfundimisht kartonin e shqiptarit nga Interi. Mësohet se klubi iberik do të paguajë 2.5 milionë euro në arkat e zikaltërve italianë për sulmuesin 21-vjeçar. Të ardhura vërtet të rëndësishme për Interin, duke qenë se Manaj i ka kushtuar thuajse 1 mln euro dhe investimi është amortizuar në vite. Lajmi për zyrtarizimin e tij si futbollist i Albasetes, u bë i ditur nga “interneës.it”.


Lushnjari ka pasur probleme, pasi ka përjetuar disa dëmtime që kanë ndikuar në ecurinë e tij në edicionin që lamë pas. Ai gjithsesi e rriti nivelin e tij gjatë sezonit, pasi arriti të fitonte dhe formacionin.Manaj synon të kthehet në titullar fiks e gjithashtu të jetë sërish pjesë e kombëtares së Shqipërisë, ku ka munguar në grumbullimet e fundit. Klubi i Interit ka ruajtur edhe të drejtën e riblerjes dhe do të mbajë sulmuesin nga Lushnja nën vëzhgim. Nëse ai arrin të bëjë mirë në kampionatin spanjoll me Albaseten, Interi ka të drejtë të blejë sulmuesin për një shifër më të lartë se ajo që e shiti, kështu që prova e vërtetë e Manajt fillon tani.