Sulmuesi kosovar drejt klubit të madh evropian, e konfirmon agjenti

Sport

Deshira e madhe e sulmuesit të Fenerbahces, Vedat Muriqi, është të luajë në Serie A. Për këtë arsye është në bisedime me disa klube, me synim transferimin në futbollin italian. Gjithcka është konfirmuar shprehimisht nga ana e menaxherit të lojtarit kosovar, Haluk Canatar. Klubet që kanë shfaqur interes për Muriqin në kampionatin përtej Adriatikut, janë Lazio dhe së fundi Napoli. Në një prononcim për për mediat italiane, Canatar tregoi se është në bisedime me disa klube për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares kosovare. “Mund të them se ka bisedime. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mund vetëm të them se synimi i Vedatit është të luajë në Itali. Muriqi është futbollist për të cilin kanë shprehur interesim shumë klube; në javët e fundit shumë prej tyre kanë pyetur për të. Lazio është interesuar. Por nuk dua të flas shumë për interesimin e saj, duke e parë sesi funksionin tregu i transferimeve. Sulmuesi ende nuk ka vendosur se në cilin klub dëshiron të luajë. Por ajo që dihet sigurt është se ai dëshiron të luajë në Serie A, Premierligë apo Bundesligë”, pranoi Canatar.
Klubi që duket më në avantazh, krahasuar me të tjerët është Lazio, drejtor sportiv i të cilës është ish-sulmuesi i Shqipërisë, Igli Tare.
Muriqi ra në syrin e shumë klubeve evropiane, gjatë dy viteve të fundit, pas paraqitjeve të shkëlqyer me ekipin kombëtar dardan, si dhe golave të shënuar me Rizesporin dhe Fenerbahcen në Superligën turke. 25-vjeçari nga Prizreni i ka shënuar 20 gola dhe 8 asiste në 30 paraqitje për Fenerbahcen në të gjitha garat vetëm këtë sezon. Kjo ka bërë që jo vetëm Lazio dhe Napoli të shprehin interesim për të, por edhe Eintracht Frankfurt, Tottenham, Leicester City dhe Manchester United. Fenerbahce duket në vështirësi financiare, prandaj mund të kërkojë ta shesë kosovarin ndoshta që gjatë kësaj vere.
Ndërkohë, në Turqi ka shumë merkato edhe një tjetër lojtar shqiptar si David Domgjoni, i cili u largua nga Laçi për te Menemspor (kat.II) gjatë merkatos së janarit për një shifër rreth 50 mijë euro. Qendërmbrojtësi një kohë të shkurtur fitoi menjëherë vendin e titullarit duke luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet që janë luajtur deri më tani. Duket se kaq ka mjaftuar që paraqitjet e tij pozitive të bien në sy të dy ekipeve gjigante, si Fenerbaçe dhe Beshkitash. Sipas “Aksam.tr”, këto dy skuadra kërkojnë të kenë në skuadër mbrojtësin Domgjoni. Madje thuhet edhe se Fenerbaçe ka nisur negociatat me Menemspor. Gjitashtu në artiukullin për mbrojtësin shqiptar shkruhet se Kosova kërkon ta ketë në skuadër për repartin e mbrojtjes, duke shkuar deri aty sa që e krahasojnë me turkun Demiral të Juventusit.