Suksesi në Champions League, ja kur do të largohet Pep Guardiola nga Manchester City

Sport

Suksesi I trefishtë I Manchester Cityt këtë sezon, si në Champions League, kampionat dhe kupë, padyshim që do  të vazhdojë të festohet gjatë në anën blu të qytetit. Mirëpo, mediat në ishull, kanë nisur të hedhin menjëherë dritë rreth të ardhmes së trajnerit Pep Guardiola dhe kanë zbuluar se kur do të jetë dita që spanjolli do të largohet nga kampionët e rinj të Europës.

Kontrata aktuale e Pep me Cityn, e rinovuar në Nëntorin e 2022-shit, skadon në verën e 2025-tës. E në fakt, do të jetë pikërisht viti 2025 kur Pep Guardiola do të largohet nga Etihad Stadium. Me fjalë të tjera, 52 vjeçari do të respektojë deri në fund kontratën aktuale, e më pas do të largohet.

Të paktën këto janë raportimet më të freskëta që vijnë nga ishulli, por asnjëherë nuk mund të thuhet me saktësi se ç’pritet të ndodhë. Në fakt, përgjatë rrugëtimit të tij si trajner, Pep është treguar mjaft I kujdesshëm me të ardhmen e tij, duke mos ia lënë asnjëherë në dorë rastësisë.

Megjithatë, sido që të shkojë, edhe nëse e respekton deri në fund kontratën aktuale, largohet më herët, apo më vonë, ajo që nuk mund të diskutohet në asnjë mënyrë, është trashëgimia e jashtëzakonshme që Pep ka gdhendur në radhët e klubit të Manchester Cityt. Kur të vijë momenti I ndarjes nga kampionët e Premier League, Pep do të largohet si një prej trajnerëve më të mëdhenj që ka parë ndonjëherë historia e futbollit në ishull.

Në 7 sezone të kaluara në krye të Bluve të Manchesterit, Pep Guardiola ka një numër titujsh, që mund të shkojnë përtej imagjinatës. Në total janë 14 trofe, ku mes tyre përmendim triumfin më të freskët dhe aq shumë të kërkuar në  Champions League, e po ashtu edhe suksesin e 5-fishtë në Premier League.