Suarez thotë se mban ende kontakte të afërta me Messin

Sport

Luis Suarez u largua nga Barcelona verën që kaloi, pas 6 viteve në radhët e katalanasve. Edhe pse largimi i sulmuesi uruguaian erdhi mes shumë tensioneve, Suarez do të jetë mirënjohës për atë që arriti me fanellën ‘blaugrana’.

Tani pjesë e Atletico Madrid, 33-vjeçari po tregon se mbetet ende ndër më të mirët në botë në rolin e tij dhe pavarësisht moshës, kërkon të japë kontributin e tij për të shtyrë ‘los rojiblancos’ drejt sukseseve.

Sa i përket tensioneve që pati në Barcelonë, duket se kjo ka bërë që edhe kontaktet me ish-shokët e skuadrës apo me njerëz të tjerë në brendësi të klubit të jenë thuajse zero. Këtu bën përjashtim vetëm Lionel Messi, që vetë Suarez thotë se mbetet një nga miqtë e tij më të mirë. Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, Suarez konfirmoi se ruan ende kontakte të afëra me Messin, edhe pse shtoi se tani nuk flasin më aq shumë për futbollin. Sulmuesi uruguaian thotë se nuk e di nëse do të ketë ndonjëherë shansin të luajë sërish me Messin në të njëjtën skuadër, por gjithësesi miqësia e tij me gjashtë herë fituesin e ‘Topit të Artë’ do të mbetet e njëjta.

Suarez përsëriti se e ka përjetuar keq largimin e tij nga Barcelona, por fakti që shumë dyer të tjera u hapën për të, e mbushnin me krenari. Tek Atletico, Suarez siguroi se ka rigjetur formën e tij dhe ndihet shumë i lumtur. Në këtë sezon të ri në ‘La Liga’, 33-vjeçari numëron 6 ndeshje me fanellën e ‘los rojiblancos’, me 5 gola të shënuar dhe 1 asist, çfarë kanë udhëhequr ekipin e drejtuar nga Diego Simeone në vendin e tretë me 17 pikë, 3 më pak se sa Real Sociedad i vendit të parë.

Megjithatë, madrilenët do të kenë shansin të ngjiten të parët, pasi kanë 2 ndeshje më pak të luajtura se sa kryesuesit e momentit. Sa i përket Suarez, sulmuesi do të luajë më 21 nëntor ndeshjen e parë ndaj Barcelonës që pas largimit të tij.