Suarez shpërthen pas eliminimit: Turp! Nuk ishim ekip!

Sport

Në mënyrë krejt të befasishme, Barcelona e sheh veten jashtë finales së Champions League. Për herë të gjashtë në histori, katalanasit pësuan 4 gola në një ndeshje sa i takon kompeticioneve të UEFA-s. E madje për herë të dytë radhazi u eleminuan, pasi kishin fituar ndeshjen e parë me një diferencë prej 3 golash. Ndodhi vjet me Romën dhe u përsërit me Liverpulin. Pas humbjes 4-0 të martën ndaj Liverpool, Luis Suarez ishte ai që ndër lojtarët e Barcelonës, kërkoi falje për mënyrën sesi skuadra luajti në “Anfield”, . Uruguajani dhe shokët e tij të skuadrës vinin me avantazhin 3-0 të gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve, por e panë veten të eliminuar me turp. “Ne duhet të bëjmë shumë vetëkritikë, është hera e dytë që na ndodh e njëjta gjë. Nuk mund t’i bëjmë këto gabime dy vite radhazi. Duhet të na vijë turp nga vetja për atë që bëmë gabim, duke menduar se gjithçka kishte përfunduar”, deklaroi sulmuesi.


Humbja ndaj Liverpool ka sjellë debate të menjëhershme në bordin drejtues të Barcelonës. I kryqëzuari i madh duket të jetë Ernesto Valverde, për të cilin presidenti Bartomeu ka kërkuar kohë që të reflektojë. Megjithatë, Suarez ishte i shpejtë për ta mbështetur trajnerin e tij, teksa thotë se përgjegjësia bie mbi lojtarët: “Ne jemi ata që luajmë në fushë, trajneri bën taktikat. Ne, lojtarët, duhet të jemi më të vetëdijshëm, jemi ata që luajmë. Ne duhet të kërkojmë falje për qëndrimin, nuk ishim ekip. Duhet të kërkojmë falje kundrejt tifozëve tanë. Nuk mund të ndodhë që në një minutë të pësojmë dy gola. Duhet ta kuptojmë që të gjitha kritikat do të bien mbi ne. Jemi shumë të trishtuar për atë që ndodhi”, përfundoi uruguajani.