Suarez paralajmëron Liverpool: S’ka miqësi në fushë!

Sport

Barcelona e ka tashmë mendjen vetëm tek Champions League, pasi u shpall kampione të shtunën, teksa i mjaftoi fitorja minimale 1-0 ndaj Levantes, falë golit të Messit. Tashmë, të besuarit e Ernesto Valverdes mund të mendojnë vetëm për ndeshjet me Liverpullin, pengesa e fundit që ndan katalanasit nga një rikthim historik në finale pas sezonit 2014-15. Ajo kur fituan edhe trofeun për herë të fundit, duke mposhtur Juventusin në Berlin. Për Luis Suarez, Liverpuli përbën një rikthim në të kaluarën. Gjigantët spanjollë presin të mërkurën në “Camp Nou” skuadrën e Klopp, në sfidën e vajtjes, me sulmuesin uruguajan që përballet për herë të parë me klubin ku luajti për 3 sezone. 32-vjecari Suarez shënoi 82 gola në 133 ndeshje te “Reds”, duke fituar Kupën e Ligës në 2012. Mirëpo ka deklaruar se miqësia do të harrohet gjatë përplasjes së dyfishtë që e pret në gjysmëfinalet e Champions League. “I jam tepër mirënjohës Liverpulit, por në fushë nuk do të ketë miqësira. Me afrimin e ndeshjes së parë është bukur të flasësh. Liverpuli më dha shumë, por kujtimet për momentet e shkëlqyeshme që kam kaluar aty, nuk kanë përse më shpërqendrojnë, kur të zbres në fushë”, është shprehur Suarez për Daily Mail.

Gjithashtu, uruguajani ka folur edhe për titullin e Premier league, për të cilin është në garë Liverpuli, që kërkon të dalë kampion pas gati 30 vjetësh. “Mendoj se nuk do të ishte aq e jashtëzakonshme, sesa mund të ishte me skuadrën ku luaja unë 5 sezone më parë. Atëherë ishte gjithcka shumë ndryshe. Ne nuk kishim shpenzuar aq shumë në merkato, sa ekipi i tanishëm. Nëse do të kishim fituar kampionatin them se do të kishte qenë një arritje më e madhe se ajo e mundshme e këtij viti”. Ndër të tjera, Suarez ka shprehur vlerësimin e tij për treshen sulmuese të “Reds”, Salah-Mane-Firmino. “Janë shumë të shpejtë, plot talent dhe tepër teknikë. Janë lojtarë që bëjnë diferencën dhe rezultatet e Liverpulit mund të them se varen prej tyre”.