Objektivi i arritjes në zonën e Champions League është mendimi kryesor në kampin e Lacios. këtë nuk e fsheh as Thomas Strakosha, i kthyer për t’u stërvitur me bardhekaltërit, pas impenjimeve me Kombëtaren shqiptare ku ishte titullar në Ligën e Kombeve. Tashmë, portieri është i përqendruar vetëm për të përgatitur sfidën ndaj Empolit që e pret me rifillimin e kampionatit italian, të shtunën pasdite. Jo vetëm Strakosha, por të gjithë lojtarët bardhekaltër duan t’i japin vazhdimësi suksesit me Frozinonen.
I pranishëm në një nga restorantet e kryeqytetit italian, portieri ka rrëfyer për disa tifozë se është i bindur në cilësitë e Lacios për të arritur pjesëmarrjen në Europën e rëndësishme. Gjë që do të thotë se është optimist sa i takon pozicionimit në katër vendet e para të renditjes, që të dërgojnë direkt në Champions. Sipas 23-vjeçarit, skuadra është në lartësinë e duhur. Për më tepër, tekniku Inzaghi bën diferencën dhe ëndrra që u hodh në erë në javën e fundit gjatë kampionatit të kaluar, këtë herë do të realizohet sipas Strakoshës.