Strakosha, vërtet Liverpuli ka gati 30 milionë për shqiptarin?!

Sport

strakosha lvp

Thomas Strakosha është një nga alternativat që po studion Liverpuli, për portier të sezonit të ardhshëm, pas gafave të Loris Karius në finalen e Champions League kundër Realit. Për këtë të paktën janë të bindura mediat italiane, sipas të cilave, madje, “Reds” janë gati të ofrojnë edhe 30 milionë euro, për të marrë portierin shqiptar të Lacios.
23-vjeçari ka luajtur të 38 ndeshjet e kampionatit italian me bardhekaltërit, duke u bërë i pari që realizon një gjë të tillë të paktën në vitet e fundit në Serinë A. Megjithëse paraqitjet e tij janë shoqëruar herë me vlerësime të mëdha dhe herë me kritika, siç ndodhi në rastin e ndeshjes së fundit të kampionatit kundër Interit. Gjithsesi, lajmi që flet për interesimin e Liverpulit, duket se për momentin është thjesht hipotezë, që nuk gjen konfirmim zyrtar. Ajo që mund të thuhet me siguri është se finalistët e Champions League po mendojnë për një portier të ri.

lvppp

Teksa, veç Strakoshës, janë përmendur edhe Alisson i Romës dhe Donnarumma i Milanit. Avantazhi i vetëm që ka gardiani shqiptar kundrejt brazilianit dhe italianit, është fakti se ka një vlerë gati 2 herë më të vogël në merkato, sesa rivalët e përmendur. Sidoqoftë për momentin, Strakosha është duke menduar sesi të rikuperohet nga dëmtimi që e la jashtë grumbullimit të Kombëtares për ndeshjet me Kosovën dhe Ukrainën. E vetmja gjë që e lidh deri tani me portën e Liverpulit është një mesazh mbështetës që i dërgoi Loris Karjusit përpara pak ditëve në Instagram, ku shkruante: “Mos u dorëzo kurrë dhe të kthehesh, më i fortë se më parë!”.