Strakosha rikthehet në stërvitje, por… jo si kuqezi!

Sport

thomas 1213
Dënimi që i dha tekniku Panucci për të mos qenë pjesë e Kombëtares shqiptare në ndeshjet e para të eliminatore të Euro 2020, pas vonesës për të kapur avionin drejt Tiranës, u shndërrua në një çështje jo të vogël. Aq sa bëri jehonë edhe në mediat përtej Adriatikut. Por Thomas Strakosha nuk ka qëndruar pushim gjatë këtyre ditëve të pauzës, që i është rezervuar përfaqësueseve. Portieri festoi të martën 24-vjetorin mes miqsh, ndërsa të mërkurën është kthyer në fushë, për të rinisur përgatitjet me Lacion, me sytë nga ndeshja e 31 marsit kundër Interit. Fillimisht, duke menduar sesi të riaftësohet sa më mirë nga dëmtimi që ka pësuar disa javë më parë në shpatull e që ka kushtëzuar disi paraqitjet e tij në ndeshjet e fundit. Në sfidën e javës së kaluar kundër Parmës, Thomas Strakosha shtrëngoi dhëmbët në mesin e pjesës së dytë, pasi dhembja në shpatull e shqetësoi përsëri. Në pankinën e Lacio u alarmuan, aq sa Proto nisi të bëjë nxemjen.

thomas lacio

Pas pak minuta pritje, Strakosha i siguroi të gjithë: mund të vazhdonte dhe e çoi deri në fund ndeshjen me emilianët. E ishte gati t’i përgjigjej edhe thirrjes së Kombëtares, po të mos ishte për trafikun e denduar në Romë, të paktën sipas versionit zyrtar. Gjithsesi, pasi ka mbyllur disa ditë pushimi që përkuan edhe me ditëlindjen e tij, portieri shqiptar është kthyer në qendrën stërvitore të Formelos, për t’u stërvitur me bardhekaltërit pasditen e së mërkurës, si për ironi të fatit, në të njëjtën kohë kur edhe përfaqësuesja shqiptare ka në program një stërvitje, në grumbullimin e saj në Durrës.
Nga ana tjetër, mediat italiane e kanë komentuar si diçka pozitive mungesën e Strakoshës në grumbullimin e Shqipërisë, të ndërgjegjshëm se me rikuperimin e plotë, portieri shqiptar do të jetë në formë më të mirë për ndeshjen vendimtare për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve ndaj Interit, që zhvillohet pas gati një jave.