Strakosha, portieri U-23 ndër më të mirët në Evropë…

Sport

thomas 1213
23 vjeç, 86 ndeshje në Serinë A dhe mbi të gjitha e ardhmja e portës së Kombëtares shqiptare. Por sipas të dhënave të regjistruara nga portali “BeSoçer”, Thomas Strakosha është edhe një nga nën-23 vjeçarët që ka treguar se është rritur më tepër në vitet e fundit. Gjatë 8 ndeshjeve të luajtura deri tani në sezonin 2018-2019, ka regjistruar një mesatare prej 1.1 golash të pësuar për ndeshje, duke e bërë kështu një nga gardianët e rinj më të mirë aktualisht në Evropë. Për më tepër, pikëzimi i tij ELO – një nga treguesit që përdoret për klasifikimin e lojtarëve) vërehet se është rritur me plot 5 pikë në muajt e fundit, duke arritur në kuotën 80.

strakosha

E gjithë kjo e bën atë një nga të rinjtë më të mirë për momentin në qarkullim. Që portieri shqiptar ka ardhur duke pasur gjithmonë e më shumë progres, këtë e tregon edhe kompania e menaxhimit të të dhënave “ProFootballDB”, që ka përpiluar një formacion me futbollistët më të përmirësuar muajt e fundit nga të gjitha klubet. E në këtë 11-she nuk kishte se si të mungonte gardiani i portës së Shqipërisë, i cili figuron midis emrave të famshëm, si Kylian Mbappe apo Benjamin Pavard. Të gjitha këto duket se janë të dhëna që bëjnë të shpresohet shumë sa i takon të ardhmes së Strakoshës. Qoftë me Lacion, ashtu edhe me Kombëtaren kuqezi.