Strakosha pa pushim për të mahnitur, Lacio i merr konkurrent

Sport

strakosha

Ditë e lirë për të gjithë te Lacio. Përveçse për Thomas Strakoshën. Portieri shqiptar i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me një shqetësim të lehtë në shpinë. E duke përfituar nga dita e pushimit, që i është dhënë skuadrës nga trajneri Simone Inzagi, ka dashur të vazhdojë programin riaftësues që ka rakorduar bashkë me mjekët e skuadrës laciale. Deri tani, ai nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje miqësore parasezonale, vetëm për të mos rënduar më keq gjendjen e tij fizike. E për ta pasur sa më të freskët, atëherë kur do të vijnë sfidat e vërteta. Edhe sepse duhet pasur parasysh që Thomas vjen nga një sezon i lodhshëm, ku ishte i vetmi nga të gjithë portierët e Serisë A që nuk pushoi thuajse në asnjë ndeshje, duke luajtur 53 nga 55 në total.

thomas
Mirëpo një tjetër sezon edhe më i vështirë e pret tashmë, përderisa drejtori sportiv Igli Tare ka marrë një portier me përvojë që pritet të nxisë një konkurrencë stimuluese që do të bëjë mirë si vetë Strakoshës, ashtu edhe Lacios. Bëhet fjalë për belgun 35-vjeçar, Silvio Proto, i cili vjen nga Olimpiakosi dhe që do të jetë alternativë e portierit shqiptar. Megjithatë, gardiani i Kombëtares kuqezi nuk ka ndërmend të lëshojë pe’. Prandaj po përgatitet me të gjithë forcat, për të mahnitur. Pse jo, edhe më shumë sesa kampionati i kaluar.