Për Lacion e Thomas Strakoshës, kampionati italian nuk nisi aspak mirë. Bardhekaltërit, ku luan portieri i Kombëtares shqiptare, nuk mundën dot të shmangin humbjen përballë Napolit të Elseid Hysajt. Një analizë mbi ndeshjen e parë ka bërë edhe vetë Strakosha, i cili ka folur për “Lazio Style Channel”: “Rëndësi ka që provuam me të gjitha mënyrat, deri në fund. Por nuk duhet të gjejmë justifikime e as ta dramatizojmë. Kemi vetëdijen se nuk jemi inferiorë ndaj askujt. Ndërkohë që i duhet dhënë merita një kundërshtari të ndërtuar për të fituar titullin, sic është Napoli”, deklaroi fillimisht Strakosha. Portieri kërkon të hedhë menjëherë vështrimin nga sfida e ardhshme e Serisë A, që dhuron një tjetër përballje të madhe, me Juventusin kampion të Italisë.
“Duhet të qendrojmë me këmbë në tokë dhe të japim maksimumin. Mbi të gjitha na duhet të ulim kokën dhe të punojmë fort për ndeshjen e radhës. Ajo që ndodhi, ndodhi. Kemi detyrën të përmirësojmë presionin dhe përqendrimin tonë, sidomos kur jemi në vështirësi. Thjesht duhet të rinisemi nga cilësitë që zotërojmë”, përfundoi portieri. Nga ana tjetër, ka festuar Elseid Hysaj, i cili rezultoi një nga më të mirët e Napolit, duke marrë pjesë shpesh edhe në aksionet sulmuese, ashtu sic kërkon trajneri Ancelotti. Kënaqësinë për paraqitjen dhe fitoren e arritur, anësori i napoletanëve e ka përcjellë përmes profilit të Instagramit. “Bravo djema, e para kaloi me sukses!”, ka shkruar shkodrani, në një foto të shkëputur nga ndeshja me Lacion.