Strakosha, më i miri për Lacion kundër…Berishës

Sport

thoasoi

Lacio arriti të marrë një pikë të vuajtur 1-1 ndaj Atalantës, në një 90 minutësh ku diferencën mund të thuhet se e bëri një portier i Kombëtares shqiptare, por në krahun e lacialëve, si Thomas Strakosha. Portieri 22-vjecar i bardhekaltërve që nga porta tjetër kishte Etrit Berishën, arriti të rezultonte vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke i dhuruar një pikë të çmuar skuadrës së Inzaghit, që lufton për një vend në zonën e Champions League. Por gjithashtu nuk kanë munguar as vlerësimet maksimale për portierin në përfundimin e takimit. Aq sa është shpallur edhe më i miri i ndeshjes. Mbi të gjitha, vlerësimi më i lartë ka ardhur nga faqja pranë klubit lacial, “Laziopress”, që i ka dhënë Strakoshës notën 7.5. “Strakosha arriti të ndalojë Ilicic në një zonë të vogël dhe të shpëtojë portën nga gjuajtjet e Freuler dhe Gomez. Pikë e marrë erdhi falë pritjeve të tij”, është shkruar në lidhje me vlerësimin e lacialit të portës. Kurse vetë Strakosha në një deklaratë të dhënë për “Premium Sport”, tha se ndaj Atalantës bëri vetëm detyrën e tij. “Periudha negative e rezultateve? Ne kemi provuar se jemi një ekip i fortë pavarësisht momenteve të vështira. Unë bëra atë që duhet të bëja, për të mbrojtur rezultatin. Nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, sigurisht që ndikuan mungesat e po ashtu edhe lodhja. Por tashmë jemi të fokusuar për takimin ndaj Krotones. Duhet që të shkojmë me 2 pikë avantazh tek ndeshja direkte e javës së fundit me Interin”, ka përfunduar Strakosha.