Strakosha hero, rezulton i pazëvendësueshëm edhe për Lacion

Sport

thomas st
Po të mos ishte për pritjet e Thomas Strakoshës, humbja ndaj Norvegjisë mund të kishte qenë edhe më e thellë. Sidoqoftë, portieri e justifikoi më së miri besimin që Panucci i dha, duke e aktivizuar si titullar përpara Etrit Berishës. Paraqitja e gardianit të Lacios ishte në vazhdën e atyre të bëra në kampionatin italian. Aty ku duhet thënë se deri tani ka qenë ndër më të vlerësuarit. Kjo vërtetohet nëse shikon mesataren e notave të lojtarëve të Serisë A, pas 29 javësh. Bie në sy fakti që portieri shqiptar mban vendin e pestë, duke lënë prapa krahëve emra më të njohur si Buffon të Juventusit, apo Handanovic të Interit. Në fakt, me portierin 40-vjeçar të bardhezinjve, laciali ka të njëjtën notë, 6.81, por natyrisht në favorin e vet ka faktin që ka luajtur më shumë ndeshje sesa juventini. Ndërsa vlerësimi mesatar i deritanishëm për portierin e Interit, që ka edhe një ndeshje më pak, është 6.79.

strakosha2
Portierët e vetëm që mundur të jenë përpara Strakoshës, sa i takon vlerësimeve janë Sirigu, Vivian dhe Perin, teksa vendin e parë e zë Alison Beker i Romës, aktualisht portieri më në formë i momentit në të gjithë Evropën. Ndërkohë, në Serinë A, Strakosha është edhe lojtari më i aktivizuar deri tani, pikërisht bashkë me portierin brazilian të verdhekuqve. Plot 2610 minuta në fushë dhe asnjë sekondë e humbur gjatë këtyre 29 javëve. Ndryshimi me gardianin e Romës është që ai ka pushuar në Kupën e Italisë, kurse Strakosha nuk ka munguar në asnjë ndeshje sa i takon kompeticioneve brenda për brenda Italisë. Kështu në total ka një diferencë prej gati 500 minutash kundrejt Alisonit. Shifra e vlerësime këto që konfirmojnë edhe një herë faktin se është shndërruar në pikë kyçe për Lacion.

strakosha3