Strakosha hedh prapa dëmtimin, gati për…

Sport

Pas dëmtimit në tendinën e Akilit, që e detyroi të humbasë 2 ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar, por edhe impenjimet me Kombëtaren shqiptare, tashmë Thomas Strakosha është gati për Lacion e re ‘2019-2020’! Portieri shqiptar është pothuajse totalisht i rikuperuar nga problemi fizik dhe pas 1 muaji në bokse përgatitet t’i rikthejë Lacios sigurinë e saj të zakonshme mes shtyllave. Më 15 maj ngriti Kupën e Italisë pas fitores me Atalantën, përpara se të ngrinte edhe ‘flamurin e bardhë’ për shkak të shqetësimeve, duke mbyllur përpara kohe sezonin e vjetshëm. Gjithsesi, Thomas arriti të kurohet me qetësi, pa sforcuar rikthimin që mund t’i rrezikonte një dëmtim edhe më të rëndë. Nuk i mungoi as mbështetja nga Lacio, që i tregoi besim, pavarësisht se portieri shqiptar kishte dhe vazhdon të ketë shumë admirues, sidomos në Premier League. Në të vërtetë nuk erdhi asnjë ofertë konkrete, megjithëse bardhekalërit nuk do të kishin pranuar një shifër më inferiore sesa 35-40 milionë euro.

E tashmë, Simone Inzagi do të rinisë gjithcka nga ai. Tekniku, që e shikoi të rritej në skuadrën e të rinjve, për t’i besuar më pas edhe portën e skuadrës së parë, vazhdon ta konsiderojë Strakoshën si pikë kyce të Lacios së tij. Fundja, 24-vjecari i ka merituar spaletat e titullarit përmes paraqitjeve dhe ndërhyrjeve vendimtare. Sigurisht ka kryer edhe ndonjë gabim, por duke ditur të ringrihet menjëherë. Psikologjikisht ngjan sikur nuk është 24vjeç. Ndërkohë që dëshiron të përmirësohet vazhdimisht. “Fizikisht është prototipi i portierit perfekt”, rrëfeu përpara pak ditësh përgatitësi i portierëve të Lacios, Grixhoni. Në një kohë kur Strakosha përgatitet të përjetojë një sezon si protagonist: së pari, për të siguruar zonën e Champions me Lacion. E pse jo të përpiqet të presë biletën për në Evropianin e ardhshëm me Shqipërinë. Gjë që për momentin duket mision i pamundur.