Lacio mposhti Milanin me rezultatin 0-1 brenda në “San Siro” në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke prerë kështu biletën për në finale. Nga ana tjetër, Atalanta ku Gjimshiti luajti sërish titullar, mundi 2-1 Fiorentinën dhe tashmë do të ketë një derbi shqiptarësh në finalen e Kupës së Italisë. Portieri shqiptar i Lacios ka marrë merita për këtë kualifikim, teksa është konsideruar si një nga më të dalluarit në fushë. Po ashtu, vlerësime mori edhe mbrojtësi kuqezi i Atalantës. Tanimë, pritet përballja e tyre në finalen e madhe më 15 maj.Nëse për Gjimshitin është finalja e parë, nga ana tjetër Strakosha e ka fituar një herë Kupën e Italisë si portier i tretë në fillimet e tij te Lacio, ndërsa ka humbur dy finale të tjera, një në stol e një si titullar me fanellën e kësaj skuadre.
Tashmë, Thomas bëhet gati për finalen e katërt të karrierës së tij, mëse të merituar falë paraqitjeve që ka dhënë në këtë sezon, sidomos në çerekfinale e gjysmëfinale ku dha kontributin e rëndësishëm për eleminimin e Interit dhe Milanit. Me me të drejtë, Strakosha ka festuar në rrjetet sociale këtë sukses të radhës, me një fotomontazh tepër interesant. Pikërisht në foton e nxjerrë në profilin e tij në Instagram shfaqen ai dhe shumë prej lojtarëve të Lacios si pjesëtarë të “Avengers”, një modifikim i posterit të filmit më të fundit, me superheronj. “Mision i përmbushur. Finale”, ishte komenti me të cilin portieri shqiptar kishte shoqëruar këtë postim.