Prej disa ditësh është duke kryer një stërvitje të diferencuar, për shkak të një problemi në shpinë. Megjithatë, Thomas Strakosha mezi pret të rikthehet në fushë, për të ndihmuar bardhekaltërit. E ka treguar dicka të tillë në një inervistë të dhënë për “Lazio Style”, ku në radhë të parë ka bërë rezymenë e gjendjes së tij: “Jam më mirë. Por më duhet akoma më shumë kohë për të rikuperuar. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt me grupin, sepse më mungon fusha. E ndiej se po plakem paksa…”, ka thënë duke qeshur Entuziasmi për përballimin e sezonit të ri nuk duket se i mungon. Kjo dallohet edhe në fjalët e tij, kur shprehet se “skuadra laciale ka treguar se është e fortë dhe se ka mësuar nga gabimet. Ndërsa ka theksuar besimin se kjo Lacio i ka të gjitha mundësitë për të bërë një sezon edhe më të mirë, pasi ka lojtarë të rinj dhe tepër të bashkuar.
“Sezonin e kaluar patëm tre “black-out” që nuk duhet t’i përsërisim më. Duhet të reagojmë me mendje, duke mbetur të përqendruar e duke mos pasur frikë për të gabuar”, ka vijuar portieri, i cili nuk duket i frikësuar as nga ardhja e Silvio Protos, si konkurrent i tij për portën. “Ai është shumë pozitiv, flet italisht dhe na ndihmon shumë. Ka një përvojë të madhe dhe cilësi. Më jep edhe këshilla. Mund të them se klima e krijuar mes neve portierëve është e bukur”, ka rrëfyer Strakosha.
Për herë të parë mbi raportin me portierin shqiptar ka folur edhe Marcheti, ish-gardiani lacial që tashmë ka kaluar te Genoa. “Te Lacio e humba vendin nga Strakosha, i cili u tregua i zoti për të treguar vlerat e tij. Unë gabova, mbi të gjitha, që qendrova në një ambient, ku ishte kuptuar se nuk më donin më!”, është mjaftuar të thotë Marcheti.