Bob Lovati ishte një nga portierët e Lacios, që e mbylli karrierën në 1961-shin. Ishte thuajse 34 vjeç. Ndeshjen e fundit e humbi në Olimpik kundër Sampdorias, 0-1, më 12 mars të atij viti. Me bardhekaltërit, zhvilloi plot 146 ndeshje. Më 18 janarin e kaluar, pikërisht kundër Sampdorias, shqiptari Thomas Strakosha e arriti Lovatin në vendin e 10-të të portierëve më të mirë të Lacios. Veterani Bob pësoi gol nga Racagno, pas një gjuajtjeje “të vështirë, por jo të pamundur”, shkruante në atë kohë “Gazzetta Dello Sport”. Kurse shqiptarit i shkoi shumë më mirë. Edhe ai pësoi një gol, nga Linetty, por kur Lacio kishte krijuar një avantzh me shifrat 5-0. Në 1961-shin, ajo Lacio ku Lovati ishte shndërruar në portierin e tretë, me më pak aktivizime sesa Pezzullo e Cei, u rrëzua për herë të parë nga kategoria (Serie A). Ndërsa aktualisht, Strakosha është i padiskutueshmi nr.1 i një skuadre, që përpara ndërprerjes së kampionatit për virusin e mallkuar, po luante për titullin kampion me Juventusin. Në 3 sezonet e fundit, ai ka luajtur në 102 ndeshje, duke i lejuar vendin mes shtyllave Protos dhe Guerrierit vetëm në 3 takimet e fundit të sezonit 2018-2019. Kështu, pas fitores 5-1 ndaj Sampdorias, Thomas zhvilloi edhe 8 sfida të tjera, duke u ngjitur në kuotën e 154 ndeshjeve dhe duke u distancuar nga Lovati. Duke hyrë më në detaje, për Strakoshën numërohen 120 ndeshje në Serinë A, 14 në Kupën e Italisë, 2 në Superkupë dhe 18 në Europa League. Pikërisht, në atë Evropë, që Bob pati shansin ta shihte vetëm me Kombëtaren italiane.
Strakosha është vetëm 25 vjeç. I ka mbushur më 19 mars. Natyrisht i falënderoi të gjithë për urimet, duke shkruar në Instagram: “Zoti na bekoftë të gjithëve dhe na ndimoftë për të mposhtur këtë virus”. Tani pret rinovimin e kontratës, përderisa ajo aktualja skadon në 2022-shin. Sigurisht, shpreson që edhe të ketë një rritje të pagës, që duhet t’i shkojë në rreth 1.2 milionë euro në vit. Ndërkaq, ai shijon rekordin e mbrojtjes më pak të thyer të kampioantit italian, pasi Lacio ka pësuar 23 gola, një më pak sesa Juventusi dhe Interi. Por mbi të gjitha shpreson të rikthehet të luajë sa më shpejt të jetë e mundshme. Edhe sepse, Strakosha (i vetmi i huaj në Top-10 portierët më të mirë lacialë), ka si objektiv të kapërcejë edhe “gardianët” e tjerë që e paraprinë në këtë renditje speciale. në vendin e 9-të, me 5 ndeshje më shumë, është Gradella, që në 1949-n, e la futbollin në moshën 28-vjeçare, pasi Lacio e konsideroi të padobishëm dhe ai nuk donte të luante me tjetër fanelë. Deri në fund të Serisë A (gjithmonë nëse do të rinisë), mungojnë ende edhe 16 ndeshje. Aq i duhen shqiptarit për të kapërcyer edhe Blason, duke u barazuar me legjendarin Sentimenti IV. Për të mbërritur në podium, mund të mos mjaftojnë disa vite… Pasi në vendin e tretë është Sclavi, portieri-piktor, i cili mes shtyllave luajti 250 ndeshje, por 2 të tjera u aktivizua në sulm: kundër “L’Alba” në 1925-n (humbje 3-0), dhe “L’Audace Taranto” në 1926-n (fitore 1-0), kur sapo ishte kthyer te Lacio nga Juventusi. Sigurisht, atëherë ishin kohë të tjerë. A do të mund ta imagjinonit sot Strakoshën që luan në vend të Immobile?