“Van Gaal po e shkatërron Manchester United-in dhe Pedro nuk duhet të shkojë atje”, kështu thotë legjenda e futbollit bullgar, Hristo Stoichkov. Ish-lojtari i Barcelonës thotë se “Djajtë e Kuq” po i shkatërron mediokriteti i teknikut holandez dhe se për këtë Pedro do të bënte gabimin më të madh të karrierës nëse do t’i bashkohej klubit anglez në këtë periudhë.
28-vjecari spanjoll është përfolur prej kohësh për një lëvizje drejt Old Trafford-it. Marrëveshja thuhet të jetë arritur, por transferimi është bllokuar përkohësisht prej gjendjes jo të mirë shëndetësore të Neymar, i cili për shkak se është me shyta, do të qendrojë larg fushës së gjelbër për dy javë, duke humbur kështu Superkupën e Evropës, por edhe Superkupën e Spanjës.
“Van Gaal, shkatërroi Barcelonën dhe tanimë po shkatërron edhe Manchester United-in”, është shprehur 49-vjecari Stoichkov, i cili u largua nga Barcelona në vitin 1998 kur katalanasit drejtoheshin pikërisht nga holandezi.
Fituesi i Topit të Artë në vitin 1994, vazhdoi më tej teksa e këshilloi Pedron se përpara se të vendoste, të shihte se çfarë trajtimi i ka rezervuar portierit Victor Valdez, holandezi Van Gaal te Manchester United. Ish-portieri i Barcelonës është lënë jashtë skuadre dhe është kaluar te ekipi i rezervave, këtë sjellje Stoichkov e përshkruan si tipike të mediokritetit të Van Gaal.
Stoichkov, përpara se të largohej nga Barcelona, zhvilloi 254 ndeshje duke shënuar dhe 118 gola. Me katalanasit ai fitoi 5 kampionate dhe një UEFA Champions League. Ndërkohë që Pedro, pas 318 ndeshjesh me Barcelonën, luan sot përballë Sevilla-s, shansin për të ngritur trofeun e radhës, Superkupën e Evropës, që do të mund ta shihni eskluzivisht vetëm në Tring Digital.
Zidane trajner i Olimpique Marseille?
Humbja që në ndeshjen e parë me Caen-in, i ka kushtuar shtrenjtë Marcelo Bielsas, i cili ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Olimpique Marsaille. Ish-trajneri i Athletic Bilbaos dhe Argjentinës, e drejtonte klubin francez prej vitit 2014-të. Teksa deklaroi dorëheqjen, 60-vjecari, tha se te Marsaille kishte shumë pak stabilitet dhe ambienti i tillë nuk i pëlqente, paçka se nga klubi i ishte ofruar ripërtëritja e kontratës.
Largimi i Bielsas tanimë ka sjellë një kaos në klubin e Marseille, ndërkohë që spekulimet e para se kush do të jetë pasardhësi i tij, kanë përmendur emrat e Jurgen Klopp apo edhe të Zinedine Zidane, i cili duket më i preferuar pasi kështu do të rikthehej në vendlindje, pikërisht në Marseille. Zidane prej dy vitesh, drejton skuadrën e dytë të Realit, në ligën e dytë spanjolle, ndërkohë që nga shtypi spanjoll francezi thuhet se e ka peng faktin që nuk luajti kurrë për skuadrën e vendlindjes së tij.
Për sa i përket gjermanit, ish-trajneri i Borussias së Dortmundit, aktualisht është pa skuadër dhe ka vendosur që përkohësisht të mos angazhohet. Agjenti i tij duke folur për “Bild” është shprehur se Klopp për momentin nuk interesohet t’i rikthehet trajnimit.