Steven Gerrard rinovon zyrtarisht kontratën dhe për dy sezone të tjera me Al Ettifaq. Raportimet për rinovimin e ish-mesfushorit të Liverpool kishin nisur të qarkullonin vetëm përgjatë ditëve të fundit dhe shumë shpejt, e zeza u hodh mbi të bardhë.
Kontrata e vjetër e Gerrard ishte e vlefshme deri në verën e 2025-tës, kurse nënshkrimi i ri do të jetë i vlefshëm deri në 30 Qershor të 2027-tës.
Pasi diçka më tepër se një vit më parë, ishte shkarkuar nga detyra si trajner i Aston Villa, në verën që lamë pas, legjenda e Liverpool, vendosi të niste një aventurë në Arabinë Saudite, aventurë që për hir të së vërtetës, nuk është se po shkon edhe aq mirë.
Al Ettifaq renditet në vendin e 8 të tabelës së klasifikimit në kampionat, ndërsa në 8 ndeshjet e fundit, nuk ka arritur të fitojë dot asnjë përballje. Në kushte si këto, puna e Gerrard nisi të mos bindte më në Lindjen e Mesme, me 43 vjeçarin që pritej të shkarkohej nga detyra.
Megjithatë, nuk ndodhi kështu, pasi situata u përmbys në 180 gradë. Gerrard rinovoi, pasi krerët e klubit saudit besojnë se britaniku është timonieri i duhur për të udhëhequr skuadrën, e si pasojë i kanë premtuar atij përforcime në merakto, në mënyrë që rezultatet në fushë të jenë më të larta.
Al Ettifaq nuk është pjesë e një prej 4 klubeve në Arabinë Saudite që financohet nga Fondi i Investimeve Publike, çka do të thotë që edhe konkurimi me rivalët e tjerë, nuk është edhe aq i lehtë.
Sakaq, teksa Gerrard rinovoi, nga Al-Ettifaq është larguar një lojtar, i cili në verën që lamë pas u transferua me bujë në radhët e klubit saudit. Fjala është për Jordan Henderson, i cili ndërpreu kontratën me Al-Ettifaq dhe u transferua me parametra zero në radhët e Ajaksit, duke nënshkruar një marrëveshje prej dy vitesh e gjysmë, deri në verën e 2026-tës.