Pas humbjes që Golden State pësoi në miqësoren e parë sezonale, trajneri i ekipit kampion të NBA-së, Steve Kerr, ka kritikuar skuadrën, duke kërkuar më shumë përqendrim nga skuadra. Edhe pse Warriors e nisin këtë sezon sërish si favoritë, për Kerr gjithçka nis nga e para dhe në start të gjitha ekipet janë të barabarta. Blerja e DeMarcus Cousins është një përforcim i rëndësishëm për kampionët në fuqi, pasi cilësohet si një lojtar që mund të bëjë diferencën. Por gjithësesi trajneri i Warriors kërkon përqëndrim të lartë këtë sezon, pasi i trembet disi forcës së rivalëve.
“Nuk e mohoj që e nisim këtë sezon si favoritë, por nëse mendojmë se e kemi rrugëtimin të lehtë deri në finale gabojmë dhe do të rrëzohemi shumë shpejt. Këtë vit rivalët tanë janë edhe më të fortë se më parë dhe do të na duhet më shumë punë e performanca të mira për të përsëritur një sukses të ngjashëm me atë të sezonit të kaluar.” Houston Rockets, Los Angeles Lakers dhe Boston Celtics shihen për momentin si skuadrat e vetme që mund të cënojnë mbretërimin e Golden State në sezonin e ri.