Stefano Pioli nuk rrezikon të shkarkohet, por alternativat janë gati

Sport

Pavarësisht se Milani është me një këmbë jashtë Champions League, trajneri Stefano Pioli nuk rrezikon shkarkimin. Mediat italiane shkruajnë se tekniku në fjalë është takuar me pronarin e RedBird, Gerry Cardinale, në prezencë edhe të Drejtorit Sportiv, Giorgio Furlani.

Sikurse bëhet me dije, numri një i klubit kuqezi, ka besim tek Pioli, i cili do të vazhdojë i qetë punën e tij në San Siro. Megjithatë, që të sigurojë vendin e tij në krye të 19 herë kampionëve të Itlisë, Pioli duhet të plotësojë disa kushte të vendosura nga drejtuesit. Objektivi kryesor është renditja në një prej 4 vendeve të para të kampionatit, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja në Champions League për edicionin e ardhshëm futbollistik. Për momentin, Milani renditet në vendin e tretë, në kuotën e 26 pikëve, 5 më tepër sesa vendi i pestë që mbahet nga Roma. Thënë këtë, çdo ndeshje e Serie A, tanimë merr një vlerë edhe më të madhe për Piolin dhe Milanin e tij, ose në të kundërt, vend ii tij në San Siro nuk do të jetë më aq i sigurt. Takimi i radhës i Milanit në kampionat është ndaj Frosinones në San Siro.

Ecuria e ekipit kuqezi në Serie A përgjatë javëve të fundit nuk ka qenë aspak pozitive. Mjafton të përmendim këtu që nga 7 Tetori, në 6 takime të luajtura, Milani ka fituar vetëm dy prej tyre, ka barazuar dy dhe ka humbur dy të tjera. Thënë më thjeshtë, nga 18 pikë të mundshme, Milani ka grumbulluar vetëm 8. Një gjë e tillë, e ka bër klubin 19 herë kampion të Italisë që të zbresë në vendin e tretë të renditjes dhe të mbetet 6 pikë mbrapa kryesuesve të Interit.

Ndërsa sa i përket aventurës europiane në sezonin aktual, ndonëse matematika e mban ende në lojë, edhe nëse nuk kualifikohet dot për më tej, për Milanin është shumë e rëndësishme të mbetet ende në Europë, çka do të thotë se edhe zbritja në Europa League është e pranueshme, sepse veç të tjerash, një rrugëtim jashtë Italisë, do t’i garantonte klubit, të ardhura mjaft të rëndësishme financiare.

Nëse ndodh që Pioli të shkarkohet ende pa u mbyllur ky sezon futbollistik, mediat italiane shkruajnë se një sërë kandidatësh janë gati për të marrë drejtimin e Milanit. Mes emrave si Galtier, Tudor, Shevchenko, apo edhe Donadoni, një mundësi e vërtetë është edhe ish-mbrojtësi Ignazio Abate, i cili aktukalisht është trajner i skuadrës së moshave. Si ndihmës i Abates parashikohet të jetë Zlatan Ibrahimoviç, i cili është gati të kontribuojë në ekipin e parë.