Pasi morën një rezultat premtues në Lisbonë, nënkampionët e rumanisë kërkojnë sot të kualifikohen për në fazën në grupe të UEFA Champions League. Në Arenën Kombëtare të Bukureshtit, Steaua do të provojë të fitojë ndaj Sportingut. Misioni është i vështirë, por në Jose Alvalade skuadra e trajnerit Nicolae Dica tregoi se mund t’ia dalë, kjo pasi arriti ta ruajë rezultatin 0-0 edhe me një lojtar më pak. Mihai Pintilii, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në mintën e 80-të të ndeshjes së parë, është mungesa kryesore për rumunët. Për Sportingun organika është e plotë. Jorge Jesus ka kërkuar prej të tijve vëmendje maksimale dhe të paktën një gol në Rumani, gol që nuk u arrit në takimin e parë edhe pse rastet ishin pafund. Barazimi me gola kualifikon portugezët, ndërsa rumunëve u duhet medoemos fitorja. Në Bukuresht, Luanët e Lisbonës vijnë pasi të shtunën fituan me goleadë 5-0 transfertën e javës së tretë në kampionat, kundër Guimaraes. Bas Dost shkoi në rrjetë dy herë dhe trajneri Jesus beson fort te holandezi edhe për sfidën e kthimit në “Play-Off”. Historia është e ashpër me Sportingun. Porugezët kanë dështuar të shënojnë qoftë dhe 1 gol në 3 udhëtimet e kaluara në Rumani. Te kjo statistikë besojnë fort kuq-e-blutë. Këta të fundit vijnë pasi fituan me përmbysje 2-1 derbin me Juventusin e Bukureshtit dhe pas 7 javësh kampionat gjenden të katërtit megjithëse nuk njohin ende humbje.