Stadiumi i ri kombëtar kalon testin përpara Francës

Sport

Stadiumi “Arena Kombëtare” hapi dyert për herë të parë. Impianti i ndërtuar në gërmadhat e mitikut “Qemal Stafa” priti dy skuadrat e futbollit të femrave, Vllazninë dhe Apoloninë (2-0), në një 90 minutësh që u mbyll me fitoren e shkodraneve, por që kishte edhe spektakël nga organizatorët.
Pati vërtet një atmosferë fantastike në atë përballje testuese, ku nuk munguan show me drita, si dhe ekzekutimi i himnit të Championsit. Me kërkesë të UEFA-s ishin shpërndarë 10 mijë bileta për të bërë një testim sa më të mirë të impiantit, që vetëm pas pak ditësh pritet të përdoret për ndeshje zyrtare të kombëtares shqiptare. Por edhe pse biletat ishin falas në stadium nuk pati pjesëmarrje masive por ishin rreth 7 mijë tifozë.
Të pranishëm përveç tifozëve dhe specialistëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë qenë edhe rreth një skuadër inspektorësh të UEFA-s, që testuan të gjithë sistemet. E duket se mund të thuhet që është kaluar me sukses prova për stadiumin në të cilin më 17 nëntor pritet të luhet Shqipëri-Francë e vlefshme për kualifikueset e EURO 2020. “Arena Kombëtare” është impianti më modern i futbollit në Shqipëri, me një kapacitet prej afro 22 mijë vendesh, ndërsa ka kushtuar 75 milion euro. Pas një pune të gjatë mund të thuhet se stadiumi, që pritet të marrë emrin e kompanisë “Air Albania” kundrejt 650 mijë eurove në vit, është gati për të pritur më në fund një ndeshje futbolli.