SPORTING vs MAN.CITY, deklaratat e lojtarëve…

Sport

Ruben Amorim, trajneri i Sporting:

“Na pret një ndeshje e madhe. Luajmë kundër një prej skuadrave që në shumë terma, i afrohet perfeksionit. Manchester City është zhvilluar vit pas viti për të mbërritur këtu, si një nga skuadrat më teknike e taktike njëkohësisht. Guardiola është trajneri më i mirë në botë sipas mendimit tim. Aktualisht, askush nuk mund të krahasohet më të. Rezultatet dhe loja e skuadrës së tij dëshmon diçka të tillë. Unë jam në shkollën fillore, kurse ai në shkollën e lartë. Kjo është diferenca mes nesh. Mendoj se shumë trajnerë sot frymëzohen prej tij. Sa i përket ndeshjes, ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Mund të ndryshojmë taktikat tona përgjatë ndeshjes. Kemi në dispozicion lojtarë që mund të luajnë në pozicione të ndryshme dhe që dinë të përshtaten në varësi të situatës. Kjo më jep mua një mundësi të mirë për t’u punuar sipas asaj që do të shoh në fushën e lojës. Do të jetë e vështirë të mbulojmë të gjitha hapësirat, sepse Manchester City e ndryshon rreshtimin përpara, me mesfushorët që ndonjëherë gjenden në qendër të zonës. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj se mund të bëjmë surprizën. Kam besim tek lojtarët e mi dhe jam mjaft realist. I kam parë djemtë të bëjnë paraqitje të mëdha në ndeshje të rëndësishëm dhe pse jo, mund ta provojmë të bëjmë diçka të ngjashme edhe sot.”

Manuel Ugarte, mesfushor i Sporting:

“Do të jetë vërtet emocionuese. Është një nga ato ndeshje që të gjithë duam t’i luajmë. Padyshim që City vjen si favorit absolut dhe jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Por ne nuk na mungon motivimi për të bërë mirë, për të provuar e për të bërë diçka të madhe. Jemi në një kompeticion, e për më tepër në një fazë të tij ku çdo gabim paguhet shtrenjtë. Trajneri na ka përgatitur me detaje për këtë përballje, sepse në aspektin taktik, do të jetë një ndeshje e lodhshme për të gjithë ata që do të zbresin në fushë, duke marrë në konsideratë nivelin që paraqet kundërshtari. Personalisht, kam besim se mund të marrim një rezultat pozitiv. Këtë besim e shoh edhe tek pjesa tjetër e skuadrës. Të gjithë po punojnë shumë dhe për trajnerin do të jetë e vështirë të zgjedh formacionin titullar, pasi në stërvitje kemi treguar se jemi gati për një sfidë kaq të madhe. Është një kompeticion që të jep emocione të jashtëzakonshme. Ne duam ta shijojmë këtë moment, por do ta bëjmë duke luftuar përpara tifozëve tanë.”

 

Josep Guardiola, trajneri i Man.City:

“Nuk është e lehtë që të bëjmë më mirë se sa sezonin që shkoi. Jemi të lumtur që kemi mbërritur në këtë fazë, por tani gjërat fillojnë e komplikohen. E di se sa e rëndësishme është ‘Champions League’-a, por na duhet të luajmë pa presion dhe pa bërë llogari. Lojtarët po luajnë me shumë besim brenda vetes dhe kjo është diçka e rëndësishme kur mbërrin në këtë pikë të sezonit. Unë e di që do të kem shumë kritika nëse skuadra nuk ecën lart në këtë kompeticion. Unë jam një trajner dhe nëse nuk ka rezultate, është e kuptueshme që do të kritikohem. E kam marrë parasysh këtë kur fillova këtë punë. Skuadra ka një harmoni të jashtëzakonshme dhe po e shijoj këtë gjë. Kështu, është më e lehtë për t’u shfaqur me potencialin tonë të plotë. Shumë prej tyre luajnë bashkë prej 6 sezonesh dhe ky është një element shumë i rëndësishëm. E njohim mjaft mirë njëri-tjetrin. Jemi bashkë në këtë mision dhe të gjithë duan të japin kontributin e tyre. Ajo humbje ndaj Leipzig në ndeshjen e gjashtë të fazës në grupe na gjeti disi jo të përgatitur në aspektin psikologjik. Skuadra e kishte siguruar kualifikimin dhe padyshim që kjo ndikoi jo pak. Sporting-u ka një ekip problematik. Të godasin atëherë kur ti e pret më pak dhe kjo na detyron të jemi vigjilentë. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nuk ka për të qenë aspak e lehtë.”

Joao Cancelo, mbrojtës i Man.City:

“Jemi në një moment të mirë të sezonit. Nuk kemi pësuar shumë gola dhe kemi qenë shumë kreativ në repartin sulmues. Mendoj se e gjitha kjo paraqet frytet e punës sonë të përditshme. Duam që në çdo ndeshje të zbresim për të marrë 3 pikët, për të shënuar e për të fituar. Në kampionat e kemi bërë më së miri këtë. Tani është radha e ‘Champions League’-ës. Sigurisht që këtu është diçka ndryshe. Tifozët presin shumë prej nesh, por Sporting-u nuk është një skuadër për t’u nënvlerësuar. Është një klub i madh, që po bën hapa të rëndësishëm për t’u rikthyer aty ku qëndron emri i tyre në histori. Të fitojmë ‘Champions League’-ën nuk është një detyrim për ne. Ndeshemi kundër lojtarëve dhe skuadrave më të mira dhe e dimë se nuk është një mision i lehtë. Mendoj se jemi të aftë për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni, por nuk kemi patur presion për ta fituar detyrimisht. Gjithësesi, është gjë e mirë që njerëzit vendosin këtë lloj presioni mbi ne. Kjo do të thotë se të gjithë e kuptojnë se i kemi shanset për të triumfuar, por gjërat duhen marrë hap pas hapi.”