Që prej vitit 1956, stadiumi ku luan Sportingu i Lisbonës është njohur me emrin ‘Estadio Jose Alvalade’, në nder të njeriut që themeloi klubin nga kryeqyteti portugez. Por së fundmi është rikthyer ideja që stadiumit të ‘luanëve’ t’i vihet një emër i ri. Sipas asaj që raportojnë mediat portugeze dhe spanjolle, drejtuesit e Sportingut të Lisbonës mendojnë që të në të ardhmen, t’i vënë stadiumit emrin e ish-futbollistit të tyre, Cristiano Ronaldo.
Presidenti i klubit, Frederico Varandas është një nga ata që ka këmbëngulur në këtë ide, por për të arritur një marrëveshje në këtë gjë, do t’i duhet të ketë edhe dakordësinë e disa drejtuesve të tjerë. Cristiano Ronaldo shihet si një krenari e Sportingut të Lisbonës. Lojtari u bë pjesë e ‘luanëve’ kur ishte vetëm 12 vjeç, duke patur edhe kujdesin e trajnerëve të akademisë. Në sezonin e tij debutues si profesionist me Sportingun, Ronaldo tërhoqi shumë vëmendje, derisa ndodhi transferimi i tij tek Manchester United, ku luzitani do të fillonte të shkruante historinë.
‘Estadio Jose Alvalade’ u rikonstruktua në vitin 2000 dhe u rihap në 2003-shin, me një kapacitet të rritur prej 50 mijë vendesh. Madje në ndeshjen e parë të rihapjes së ‘shtëpisë’ së Sportingut të Lisbonës, ‘luanët’ fituan 3-1 kundër Manchester United, në një ndeshje ku ylli i mbrëmjes ishte pikërisht Cristiano Ronaldo. Nëse ndryshimi i emrit të stadiumit në kryeqytetin portugez do të ndodhë, atëherë tek Sporting planifikojnë një ceremoni të madhe, ndonëse për momentin çdo gjë mbetet në letër.