Sporting, Gyokeres si simbol i titullit; tani sulmuesi është gati për një transferim të madh

Sport

Emri i Viktor Gyokeres tashmë është i njohur kudo për futbollit europian. Në dy sezone radhazi, sulmuesi suedez ka shfaqur një rendiment të çmendur në shënimin e golave, duke thyer rekord pas rekordi. Edhe në këtë sezon, 26-vjeçari është shfaqur si lider i Sportingut, duke e mbyllur me 39 gola të shënuar e 8 asiste në kampionat. Kjo e vendos padiskutim si golashënuesin më të mirë në kampionatin portugez, por duke llogaritur edhe shfirat në kompeticionet e tjera, Gyokeres me gjasa do jetë ‘Këpuca e Artë’ e Europës për sezonin 2024/25. Shtatlarti llogarit plot 53 gola të shënuar në 51 ndeshje, ku ende pret të luajë edhe finalen e ‘Kupës së Portugalisë’ ndaj Benfikës.

Gyokeres u bë pjesë e Sportingut në verën e vitit 2023, ku u transferua nga Coventry, në kategoritë e ulëta të Anglisë, për plot 24 milionë euro. Ky transferim solli reagime të shumta dhe krijoi dyshime, për shkak të vlerës së lartë të shpenzuar për një lojtar që deri në ato momente, nuk ishte shumë i njohur në skenën europiane. Nga ai moment, Gyokeres ka prezantuar veten si një ndër më të mirët në botë në rolin e tij, ndërkohë që me fanellën e Sportingut, në 101 ndeshje të zhvilluara, numëron plot 96 gola e 28 asiste.

Këto paraqitje të suedezit me origjinë nga Hungaria, kanë bërë që të gjithë të presin një transferim të rëndësishëm të tij drejt një klubi më të madh. Shumë e shohin si pjesë të Manchester United, ku mund të ribashkohej me trajnerin Ruben Amorim, mirëpo asgjë nuk është e garantuar për shkak të vlerës së lartë të lojtarit. Mediat portugeze kanë deklaruar se ka një marrëveshje verbale mes lojtarit dhe klubit portugez, që do të lënë sulmuesin e të largohet nëse vjen një ofertë mbi 65 milionë euro. Por duke parë interesin e fortë ndaj tij, gjasat janë që për kartonin e një ‘makinerie të pandalshme golash’ si Gyokeres, të hapet një ‘ankand’.