Fundjava i dha një tjetër rezultat negativ Interit, që tanimë ka 7 ndeshje që nuk fiton dhe tanimë e ardhmja e Stefano Piolit është në pikëpyetje. Humbja e radhës me Genoan, i ka shtyrë mediat italiane të spekulojnë raportime të ndryshme sipas së cilave konsorciumi kinez, Suning, ka në plan të bëjë cmendurira vetëm e vetëm që t’u dhurojë tifozëve një trajner premtues. Kështu në listë përvec Antonio Contes tanimë është edhe Diego Simeone. Të hënën shtypi italian kishte si shifër 15 milionë eurot në sezon, ofertën që kinezët thuhet se do t’i bëjnë njërit prej dy trajnerëve më të parapëlqyer në Milano. Antonio Conte, po shijon suksesin në të parin sezon me Chelsea-in, dhe është fare pranë titullit kampjonë. Analistët sportivë e cilësojnë si vështirë të arritshëm një rikthim të tij në Serie-A. Problem për Interin do jetë mungesa prezencës në Kupat e Evropës. Për sa i përket Simeones, argjentinasi shihet i lëkundur edhe pse here pas here ka theksuar se do qëndrojë me Atleticon. Dështimi për herë të tretë përballë Realit të Madridit në Champions League-ë, mund ta shtyjë argjentinasin të mendojë për sfida të reja. Lidhja me ngjyrat zi-kaltër janë nyja pas së cilës kërkon të kapet më fort Interi, por deri tani shpresat e tyre varen vetëm nga dështimi i Simeones dhe gjithcka mbetet për t’u parë në fund të sezonit.