Xavi Hernandez fton Lionel Messin që të rikthehet sërish tek Barcelona. Argjentinasi është në vitin e fundit të kontratës me PSG dhe e ardhmja e tij ka nisur të diskutohet shumë përgjatë kohëve të fundit.
Sipas mediave të huaja, 7 herë fituesi i Topit të Artë mund të ketë zgjedhur që ta vazhdojë karrierën ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo nuk përjashtohen as mundësi të tjera. Një prej tyre është edhe ajo e rikthimit tek Barcelona, aty ku Messi kaloi plot 18 sezone, duke thyer rekorde të panumërta.
Pikërisht trajneri i skuadrës katalanase, Xavi, dikur shokë skuadre me Messin, ka thënë se ai nuk është kundër që argjentinasi të zbarkojë edhe një herë tjetër në “Camp Nou”.
“Nëse Messi dëshiron të rikthehet sërish tek Barcelona, atëherë sigurisht që mund të vijë. Sipas meje ai është lojtari më i mirë në botë. Do të më pëlqente që të trajnoja lojtarë të mëdhenj”, janë fjalët e numrit një të pankinës katalanase.
Pavarësisht se për momentin, ende nuk ka diçka zyrtare rreth të ardhmes së Messit, nuk pritet të jetë e largët dita kur ajo të bëhet e ditur. Sidoqoftë, gjithçka pritet zbardhet pas Kupës së Botës, Katar 2022.