Spanjë, Saul Niguez konfirmon largimin nga Atletico, pritet kalimi në ‘Premier League’

Sport

Saul Niguez është shumë pranë largimit nga Atletico Madrid. Një postim i vetë lojtarit në rrjetin social ‘Twitter’ ka shkaktuar reagime të shumta, duke spekuluar për një transferim të mesfushorit drejt ‘Premier League’-ës. Mediat flasin me emra konkretë, duke paralajmëruar se Saul Niguez do të transferohet tek Manchester United, që është prej kohësh në bisedime me 25-vjeçarin spanjoll. Në llogarinë e tij në ‘Tëitter’, Saul thotë se do të bëjë një lajmërim të rëndësishëm ditën e mërkurë, ku do të zbulojë skuadrën dhe aventurën e tij të re. Kjo konfirmon faktin se mesfushori do t’i japë fund në këtë mënyrë rrugëtimit të tij me Atletico Madrid dhe me trajnerin Diego Simeone, i cili është një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj. Për ‘El Cholo’-n, largimi i Saul është një goditje e madhe, pasi mesfushori ka qenë ndër elementët kyç të formacionit të ‘los rojiblancos’. Shanset më të mëdha janë që klubi i ri ku do të vijojë karrierën Saul, do të jetë Manchester United, ndonëse kohë më parë, për të pati shfaqur interes konkret edhe Arsenali, ku e kërkonte trajneri Mikel Arteta. Megjithatë, duke parë edhe mënyrën se si ka vendosur ta zbulojë skuadrën e tij të re Saul, tifozët mund të presin edhe surpriza në vendimin e tij. 25-vjeçari u bë pjesë e Atletico Madrid në vitin 2013, pasi i kishte kaluar të gjitha ekipet e grupmoshave të ‘los rojiblancos’. Gjatë sezonit 2013/2014, Saul u huazua tek Rayo Vallecano, ku provoi se ishte gati të jepte kontributin e tij për trajnerin Simeone, i cili e ktheu në një nga mesfushorët më të vlerësuar të kampionatit spanjoll dhe jo vetëm.