Cristiano Ronaldo nuk do të luajë as ndaj Sevillas dhe as kundër Celta Vigos, por tifozët madrilenë duhet të jenë të qetë, portugezi do jetë me patjetër në Kiev. Eshtë ky lajmi i raportuar nga gazeta AS të martën. Goditja që pësoi 33-vjecari në kavilje gjatë klasikes me Barcelonën e ka detyruar atë që të qëndrojë pushim. Sipas ekzaminimit mjekësor të bërë nga stafi i Realit, atij do t’i duhen rreth 7 apo 10 ditë riaftësim. Kështu portugezi nuk do të aktivizohet të paktën deri më 21 maj, pra 5 ditë përpara finales së Kievit. Megjithëse nga zyrtarët e madrilenëve është këmbëngulur se lëndimi nuk ka qenë serioz, të shumtë kanë qenë tifozët që janë shqetësuar nga gjendja e Ronaldos.
Portugezi ka realizuar plot 15 gola në Champions League dhe është lojtari kyresor i skuadrës. Synimi për ta mbyllur mirë këtë sezon mbetet me të vetmin objektiv, triumfin në Champions për herë të tretë radhazi. Përballja e 26 majit në fakt mbetet edhe një mundësi e fundit për Ronaldon për ta arritur së paku rekordin e tij prej 17 golash në një edicion të vetëm të Ligës së Kampionëve. Për portugezin ky është lëndimi i dytë këtë sezon. I pari qe në muajin dhjetor, dhe ishte thjesht një lodhje muskulore. Ndryshe nga sezoni i kaluar, ku lëndimet ishin 4, nga aspekti fizik, Ronaldo ka qenë shumë më mirë këtë vit.