Spanjë, Reali mbetet 16 pikë larg Barcelonës, shtypi e cilëson të humbur kampionatin

Sport

reakbarckdo

Kritika pa fund nga shtypi spanjoll ndërsa tanimë edhe lojtarët duken të dorëzuar. Reali i Madridit barazoi 2-2 në Balaidos ndaj Celta Vigos duke u larguar 16 pikë nga Barcelona kryesuese. Të hënën, gazeta Marca e cilësoi si një kapitull të mbyllur çështjen e kampionatit ndërsa vuri theksin edhe te rreziku PSG që kanë Los Blancos në Champions League. “Zidane s’mund të buzëqeshë më, kjo pasi 16 pikë janë shumë edhe për një skuadër si Reali” – ishte një nga fjalitë që përshkruante gjendjen e vështirë në La Liga të Super-Kampionëve. Përpara janë edhe 21 ndeshje dhe Zidane ka premtuar se Reali nuk do të heqë dorë, por do të mundohet të marrë maksimumin javë-pas-jave. Ndërkohë gazeta AS citoi të hënën deklaratat e brazilianit Marcelo teksa ky i fundit thoshte se “lojtarët nuk kanë se ç’të bëjnë më shumë”. Ambienti i Los Blancos duket nën presion të vazhdueshëm, lojtarë si Bale, Benzema madje edhe Ronaldo vihen gjithmonë në diskutim. Marcelo ka dashur të theksojë në emër të grupit se lidhja me Zidane-in mbetet e shkëlqyer, por ndërkohë Marca analizon se kjo lidhje mund të shkëputet nëse Reali dështon edhe në Champions League, atje ku përballë luan me PSG një skuadër që ka dy emra që Los Blancos nuk i arritën në merkato, pikërisht Neymar dhe Mbappe. Gjithcka mbetet për t’u parë më 14 shkurt. Deri atëherë Zizou ka detyrën të rigjejë harmoninë në grup dhe besimin se rezultatet e mira do të rikthehen, në të kundërtën e ardhmja edhe për të do të jetë në mëdyshje.