Spanjë, Reali i Madridit e nis me këmbë të mbarë edhe pse Ramos u ndëshkua me të 18-in të kuq në karrierë

Sport

realiiim

Reali i Madridit e nisi mbarë sezonin në kampjonatin spanjoll duke fituar 3-0 ndaj Deportivos. Skuadra e Zinedine Zidane sidoqoftë tërhoqi vëmendjen jo vetëm për lojën por edhe për dy episode gjatë ndeshjes. E para kishte të bënte me golin e Casemiros, i cili erdhi pas plot 44 pasimesh të kryera nga e gjithë skuadra. Braziliani vrapoi thellë në zonë duke konkretizuar një kros të ulët të Marcelos, por ky ishte fundi i një marrshimi të vërtetë me pasa që bëri Reali drejt portës së Deportivos. Të gjithë lojtarët kryen së paku nga një pasim. Ky ishte goli me më shumë qarkullim në fushë që është parë në La Liga që prej sezonit 2006-2007-të, kur futbollin spanjoll e dominonte “tiki-taka” e Barcelonës. Shtypi iberik e ka analizuar me detaje këtë gjendje të Realit duke dalë në përfundimin se tanimë epoka e talenteve të Barcës ka kaluar. AS theksonte me të madhe se tanimë duhet të shijojmë erën e re që mban emrin Los Blancos. Por ndërkohë një tjetër fakt që u analizua ndjeshëm nga shtypi ishte kartoni i kuq i Sergio Ramosit në fund të takimit. Kapiteni i Realit u bë kështu lojtari më i ndëshkuar në historinë e La Ligas. 18 nga 23 kartonët e kuq të marrë në karrierë janë në kampionat. Ramos fatmirësisht për të nuk e mori të kuqin direkt, por pas dy kartonësh të verdhë. Emilio Butragueno, zyrtar i lartë i klubit, konfirmoi pas ndeshjes se Reali do ta apelonte këtë ndëshkim.