Spanjë, Pique nxit debate me komentet për Espanyolin

Sport

Espanyolin

Komentet e vazhdueshme të Gerard Pique ndaj Espanyol-it, kanë kaluar caqet duke ndezur mjaft debat në Spanjë. Kapiteni i Barcelonës i thumboi rivalët katalan pas Kupës së Mbretit. Ai tha se tashmë Espanyoli duhej quajtur “Espanyol de Cornella” dhe jo “Espanyol de Barcelona”. 31-vjecari nxirrte si kontekst këtu faktin se stadiumi i Espanyolit ndodhet në periferi. Pas golit të fundjavës dhe festës me gjest kundër tifozerisë së skuadrës rivale, Pique i shtoi më tej thumbimet. Qendërmbrojtësi hapi edhe më shumë debat teksa tha se pronarët e Espanyolit janë “kinezë dhe s’kanë lidhje me Barcelonën”. Gazeta Marca nënvizoi në raportimet e saj se ky koment është në kufijtë e diskriminimit dhe racizmit. Moises Hurtado iu përgjigj Piques duke thënë se te Espanyoli lojtarët “janë katalanë dhe se komentet e 31-vjecarit të Barçës ishin ofenduese. “Aspak të hijshme për dikë që mbështet edhe kauza politike sikurse pavarësia e Katalonjës”. Marca i hyri thellë këtij debati duke analizuar se fenomeni i zotërimit të klubeve nga investitorë të huaj është mjaft i përhapur dhe aspak problematik në vende si Anglia, Franca, apo Italia. Manchester City, United, Liverpool, PSG, Marseille, Monaco, apo Roma dhe dy klubet e Milanos, Inter e Milan, zotërohen nga investitorë amerikanë, aziatikë dhe arabë, që sipas Marcas kurrë nuk janë pritur me përçmime publike nga futbollistët.