Spanjë; Për Barcelonën, Tonali gati t’i thotë ‘jo’ Juventusit

Sport

Sandro Tonali është një nga talentet që ka rënë më shumë në sy gjatë sezoni 2019/2020 në ‘Serie A’. Mesfushori i Brescias cilësohet si një ndër të rinjtë italianë më të talentuar dhe shpeshherë është krahasuar edhe me Andrea Pirlon. Për lojtarin interesohen disa skuadra të mëdha, por gjatë javës së kaluar, qarkulluan lajme se Juventusi kishte një avantazh ndaj të tjerëve sa i përket bisedimeve për afrimin e Tonalit. Por nga Spanja, ‘Don Balon’ raporton se 20-vjeçari është gati t’i thotë ‘jo’ transferimit tek kampionët në fuqi të Italisë, vetëm për të luajtur me Messin tek Barcelona. Katalanasit janë përfshirë në tratativat e bardhezinjve për Tonalin, ndonëse shumë mendojnë se kjo lëvizje vjen edhe për t’i dhënë një drejtim tjetër negociatave mes Barcelonës dhe Juventus për Miralem Pjanic. Torinezët thuhet se nuk e kanë pranuar ofertën e parë të ‘blaugranave’ për të shkëmbyer boshnjakun me Ivan Rakitic. Sa i përket Tonalit, lojtari ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal sa i përket të ardhmes së tij, por duket mëse e sigurtë se gjatë kësaj vere, talenti italian do të largohet nga Brescia. Drejtuesit e kësaj të fundit do të përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga largimi i produktit të akademisë së tyre. Tonali ka zhvilluar 23 ndeshje me Brescian në ‘Serie A’ gjatë këtij sezoni, teksa 15 tetorin e vitit të kaluar, mesfushori i ri bëri debutimin e tij me kombëtaren italiane, me të cilën aktualisht numëron 3 sfida të luajtura.