Spanjë; Mediat flasin për një largim të Diego Simeones nga stoli i Atletico Madrid

Sport

Diego Simeone është një ndër trajnerët më të vlerësuar në futbollin europian. Tekniku karizmatik i Atletico Madrid ka ndryshuar identitetin e ‘los rojiblancos’, duke u kthyer në një figurë mjaft të rëndësishme për klubin dhe tifozët. Mirëpo çdo gjë e ka një fund dhe duket se trajneri argjentinas është pranë largimit nga stoli ku ka punuar prej plot 8 vitesh. Janë mediat spanjolle që spekulojnë se rrugët e Diego Simeones dhe të Atletico Madrid mund të ndahen pas kaq shumë kohësh, pasi drejtuesit e ekipit madrilen kërkojnë një ndryshim në skuadër. Gjithnjë sipas mediave spanjolle, ‘El Cholo’ shihet tashmë si pjesë e një epoke të kaluar të Atleticos, që për hir të së vërtetës, falë punës së teknikut argjentinas ka marrë një tjetër emër në arenën europiane. Por tek ‘los rojiblancos’ kërkojnë të bëjnë një ndryshim, në përpjekje për të vazhduar me rritjen e klubit, ndonëse ende nuk ka emra konkretë se kush mund të pasojë Simeonen, gjithmonë nëse konfirmohet një largim i tij deri në fundin e këtij sezoni.
Nga ana tjetër, këto spekulime kanë tërhequr vëmendjen e Arsenalit, që vijon të jetë në kërkim të një trajneri, pas shkarkimit të Unai Emery. Simeone shihet si emri i duhur për të ndryshuar situatën tek klubi anglez, por më parë, tekniku duhet liruar nga kontrata me Atletico Madrid, ku argjentinasi u bë edhe trajneri më i paguar i sezonit të shkuar, pasi arkëtoi në total plot 42 milionë euro. Gjithësesi nga ana e klubit madrilen, spekulimet për një largim të Simeones janë hedhur poshtë, ndonëse mes palëve është e qartë që diçka nuk funksionon njësoj. Kjo u pa edhe në humbjen e Alteticos ndaj Barcelonës, që nuk u prit shumë mirë nga presidenti dhe stafi drejtues i ‘los rojiblancos’