Manchester City – ka arritur një lëvizje surprizë duke transferuar mbrojtësin Aymeric Laporte nga Athletic Bilbao. Në Spanjë “El Partidazo” raportoi se francezi 23-vjeçar ka udhëtuar tashmë për në Angli, atje ku i është ofruar një kontratë pesë-vjeçare. Shifrat e shpenzuara për këtë transferim thuhet se janë totalisht të çmendura. Plot 70 milionë euro të parashikuara për t’u paguar me një opsion 65 plus 5 bonuse. Te Manchester City Pep Guardiola ka kërkuar prej kohësh një mbrojtës me profilin e njëjtë me atë të Vincent Kompany, i cili vuan prej lëndimeve prej tre sezonesh tashmë. Te klubi bask ka pasur zhvillime ditëve të fundit. Pas nënshkrimit të ripërtëritjes me Kepa Arrizabalagan, drejtuesit duket se kanë patur përpara një zgjedhje të vështirë, të mbajnë portierin dhe të lënë mbrojtësin të ikë. Laporte është produkt i akademisë së Bilbaos. Ai luan me baskët që prej vitit 2011-të dhe konsiderohet si një nga talentet më të cmuara të futbollit spanjoll, pavarësisht se ka luajtur me ekipet zinxhire të kombëtares së Francës. Nëse gjithcka konfirmohet, 23-vjecari do të bëhet mbrojtësi më i kushtueshëm i të gjitha kohërave, ndërsa City vazhdon me trendin e sezonit të fundit, që i blen mbrojtësit me cmimin e një sulmuesi.