Spanjë, Joaquin thyen rekord me tripletën ndaj Athletic Bilbao

Sport

Me moshën që ka, Joaquin mund të ishte fare mirë duke shijuar tërheqjen nga futbolli, apo edhe nisjen e një karriere të re si trajner, njësoj siç kanë bërë shumë nga kolegët e tij. Por veterani i Real Betis vazhdon të tregojë klasin e tij në fushën e lojës, teksa gjatë kësaj fundjave arriti të thyejë një rekord në kampionatin spanjoll. Në moshën 38-vjeçare, Joaquin u bë lojtari më i vjetër në moshë që realizon një tripletë në ‘La Liga’. Spanjolli shënoi 3 gola brenda 20 minutave të para kundër Athletic Bilbao, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, ndonëse baskët u përpoqën të reagonin me realizimin e dy golave. Ndërkohë që kapiteni i Betis, Joaquin, me anë të kësaj triplete, e çon numrin e golave të shënuar prej tij në këtë sezon të ‘La Liga’-s në 6, aq sa spanjolli shënoi gjatë gjithë sezonit të kaluar.
Vlen të theksohet fakti se pavarësisht se cilësia e kapitenit të Betis ka rënë gjithnjë në sy, Joaquin nuk ka qenë asnjëherë një lojtar që shënon shumë. Madje, kjo tripletë rekord e tij është e para që spanjolli realizon në karrierë. Me gjasa, tripleta e parë e Joaquin do të jetë edhe e fundit për të, diçka që e pohoi edhe vetë veterani. Joaquin numëron 52 prezenca me kombëtaren spanjolle, me të cilën ka realizuar 4 gola. Ndërsa në rang klubesh, pavarësisht pritshmërive të mëdha që kishte në fillimin e karrierës, Joaquin nuk ia doli të linte gjurmë tek ndonjë skuadër e madhe, me Betis që do të jetë me gjasa edhe skuadra e fundit përpara tërheqjes nga futbolli i luajtur.