Andres Iniesta largohet përfundimisht nga Barcelona dhe e ardhmja e tij duket se do të jetë Japonia dhe jo Kina. Vetë legjenda katalane e futbollit ka treguar në rrjetet sociale se ka vendosur të kalojë te skuadra Vissel Kobe në J-League. 34-vjecari postoi një foto të tijën me Hiroshi Mikitanin, pronarin e klubit japonez ndërsa po udhëtonin me avion për në Lindjen e Largët. “Rrugës drejt shtëpisë sime të re, me mikun tim Mikitani” shkroi Iniesta në Twitter, ndërsa një foto të këtillë postoi edhe vetë Mikitani, i cili është zotërues i kompanisë Rakuten, sponsor zyrtar i Barcelonës.
Pas 22 vitesh me ngjyrat katalane, Iniesta mbyll kështu përvojën e tij legjendare me Barcelonën duke e mbyllur me 22 trofe të rëndësishëm. 674 ndeshje dhe kurrë i urryer, as nga kundërshtarët. Gjithmonë me klas dhe gjithmonë altruist, edhe në kohët kur përballë Lionel Messit, nuk vlerësohej me Topin e Artë. Sidoqoftë tashmë nis një kapitull i ri për Iniestan, i cili muajin e ardhshëm do të ketë edhe botërorin e fundit në karrierë. Autori i golit që i dha titullin kampion bote Spanjës në 2010-ën, është përfshirë në listën e Lopeteguit. Udhëtimi për në Japoni thuhet se do të jetë sa për t’u prezantuar me skuadrën e Vissel Kobes, atje ai do të gjejë Lukas Podolskin, i cili luan për këtë ekip që prej vitit të kaluar.