Spanjë, Hazard dhe më pas Pogba do jenë transferimet e para te Reali

Sport

Eden Hazard do jetë transferimi i parë i Realit të Madridit dhe pas tij i dyti do jetë Paul Pogba, për të cilin konsiderohet punë e kryer. Kështu raportoi të martën mbrëma emisioni spanjoll “El Chiringuito”. Që Hazard do jetë objektivi kryesor i merkatos së Realit kjo ka kohë që diskutohet dhe raportohet nga shtypi ndërkombëtar, por që Pogba është punë e kryer për të shkuar te Reali kjo është hera e parë që raportohet me kaq siguri. Mesfushori francez nuk e ka fshehur asnjëherë konsideratën për skuadrën e Los Blancos dhe aq më shumë për Zinedine Zidane. Në muajin tetor ai rrëfeu se fanella Los Merenguez ishte fanella e ëndrrave të tij, që kur kishte qenë i vogël. Të marten mbrëma El Chiringuito theksoi se Pogba ka rënë dakord të kalojë te Reali duke reduktuar edhe pagën e tij dhe aleat për Madrilenët në këtë pjesë thuhet se është dhe sponsori Adidas, që e ka Pogbanë imazh kryesor. Te Manchester United ai paguhet 15 milionë euro dhe sipas El Chiringuitos në Madrid do të marrë 12 milionë. Po sipas këtij raportimi Reali do të paguajë për të një shumë prej 156 apo 170 milionë eurosh, çka do ta bënte Pogbanë një prej lojtarëve që ka qarkulluar më tepër para për shërbimet e tij. Pas 105 milionëve që Manchester United pagoi për të tre vite më pare, edhe 150 të tjera do ta çonin këtë shifër në mbi 250 milionë euro, çka do ta rëndiste Pogbanë përkrah emrave si Ronaldo apo Neymar si lojtarët me kapitalin më të çmuar në historinë e futbollit. Lajmi për Pogbanë te Reali vjen pak ditë pasi spekulimet në Itali përflisnin për një ide shkëmbimi mes Juventusit dhe United-it, me emra në tavolinë si Dybala dhe Alex Sandro.