Spanjë, Griezmann deklaron largimin nga Atletico në fund të sezonit

Sport

Tashmë është zyrtare, Antoine Griezmann do të largohet nga Atletico Madrid. Sulmuesi francez i ka komunikuar klubit vullnetin për t’u larguar nga Wanda Metropolitano në fund të sezonit. 28-vjecari firmosi një kontratë të re vitin që shkoi, kontratë që e lidhte atë me Los Rojiblancos deri në vitin 2023, por që si duket nuk do të respektohet. Në Spanjë shtypi këmbëngul se Barcelona do ta paguajë klauzolën prej 120 milionë eurosh që francezi ka në kontratë dhe vitin e ardhshëm ai do të luajë me Messin në Camp Nou. Griezmann u shfaq në një video-postim në faqen zyrtare të Atleticos në Twitter teksa u komunikonte tifozëve vendimin e tij. Francezi falenderoi shokët e skuadrës, klubin dhe të gjithë ambientin për periudhën prej 5 vitesh që ka kaluar në Madrid, periudhë që ai e cilësoi të jashtëzakonshme. “Kam marrë vendimin për t’u larguar. Dua që të shoh gjëra të reja, ta sprovoj veten në një aventurë të re” tha Griezmann, autor i 133 golave me Atleticon, që kur u transferua nga Real Sociedad për 30 milionë euro në vitin 2014-të. Vendimi i 28-vjecarit mbetet i diskutueshëm duke qenë se vitin që shkoi Griezmann refuzoi një ofertë direkte të Barcelonës, madje Atletico e denoncoi qasjen e katalanasve në FIFA duke e konsideruar si qasje përtej rregullave. Kështu te Los Rojiblancos, pas largimit të Lucas Hernandez te Bayerni dhe kapitenit Diego Godin, Griezmann është lojtari i tretë me profil të lartë te Atletico që do të largohet për sezonin e ardhshëm.