Kur u prezantua më 19 korrik si trajner i kombëtares spanjolle, Luis Enrique pati thënë se nuk do të kishte ndryshime rregullash në përfaqësuesen e La Rojas, por ja që rreth 3 muaj më vonë, gjërat ndryshojnë. Gazetat iberike kanë publikuar fillë ndryshimet e të ashtuquajturit “Lucho”. Kështu ish-trajneri i Barcelonës ka spostuar orarin e darkës duke e vendosur atë rreth 1 orë e gjysmë më herët, rreth orës 20:30, kjo në mënyrë që lojtarët të kenë më tepër kohë për të fjetur. Gazeta AS shkroi se ky veprim i Enriques është më tepër për t’u siguruar për oraret e gjumit të lojtarëve. E njëjta filozofi është edhe për sa i përket mëngjesit, ku të gjithëve do t’u jepet me detyrim. Sigurisht, gjoba për ata që vijnë, rrijnë apo edhe që zgjohen vonë.
Në dhomat e mbledhjes dhe të ushqimit, nuk do të lejohen telefonat, çka sipas gazetarëve është një mënyrë për të nxitur socializimin mes lojtarëve dhe për t’i shkëputur ata nga rrjetet sociale. Po kështu rregullat e Enriques kanë ndryshuar edhe itineraret e udhëtimeve. Spanja nuk do të kthehet më në Madrid, por pas ndeshjeve në Londër me Anglinë dhe në Kardif me Uellsin, “La Roja” do të udhëtojë menjëherë drejt e në Sevilla. Kjo për të mos shkaktuar një shkëputje dhe që grupi të mbetet në përqëndrim maksimal. Enrique duket se i ka kapur aspektin më të dobët Spanjës, të paktën prej cka u pa në botëror, por për rezultatin mund të flasim vetëm pas sfidave të para.