Spanjë, De Jong ka ‘në dorë’ fatin e Lewandowski e Raphinha; holandezi mban pezull Barcelonën

Sport

Sitauta e Frenkie De Jong tek Barcelona është duke marrë dita ditës përmasa edhe më të mëdha se sa mendohej. Klubi katalanas prej kohësh ka një marrëveshje me Manchester United për shitjen e kartonit të mesfushorit, por ky i fundit nuk pranon largimin nga ‘Camp Nou’. Sipas asaj që zbulojnë mediat europiane, Barcelona po këmbëngul që të largojë De Jong, aq sa thuhet se po ushtrojnë presion ndaj holandezit në të gjitha mënyrat dhe kjo vjen për arsye se lojtari ka një pagë shumë të lartë. De Jong u bë pjesë e katalanasve në verën e vitit 2019, kur u transferua nga Ajaksi për shifrën e 75 milionë eurove. Ai firmosi një kontratë 5-vjeçare, me një pagë që kapte shifrën e 20 milionë eurove në sezon. Në tetorin e 2020-ës, mesfushori firmosi një rinovim të kontratës, që supozohet ta mbajë me ‘blaugrana’-t deri në 2026-ën. Por me Barcelonën që ka bërë disa lëvizje të rëndësishme në merkato, shihet e nevojshme që në arkat e klubit të gjenerohen para si dhe të ulet tavani i pagave, në mënyrë që të regjistrohen e të jenë gati për sezonin e ri, emra si Robert Lewandowski apo Raphinha. Në fakt, duket se fatin e dy sulmuesve e ka në dorë De Jong.

Nëse 25-vjeçari nuk pranon të largohet apo të ulë pagën e tij, atërherë drejtuesit e Barcelonës do të jenë në telashe të mëdha. Manchester United e pret krahëhapur transferimin e holandezit, por ky i fundit ka shumë arsye pse nuk e pranon largimin nga ‘Camp Nou’. Mediat kanë zbuluar se Barcelona ka një borxh prej 17 milionë eurosh ndaj Frenkie De Jong, që lidhet me paga të prapambetura. De Jong nuk është i vetmi lojtar tek katalanasit që gjendet në këtë situatë, pasi emra si Pique, Busquets apo Jordi Alba janë përballur edhe më herët me një gjë të tillë. Problemi është se Barcelona ka shpenzuar në këtë merkato verore jo pak para, si me blerjen e kartonave të Lewandowski apo Raphinha, edhe me pagat e ofruara ndaj lojtarëve të afruar me parametra zero si Franck Kessie apo Andreas Christensen. De Jong është i pëkanaqur nga sjellja e klubit ndaj tij dhe deri më tani është duke i rezistuar këtij presioni. Gjithësesi, gjasat janë që palët të ulen për të gjetur një marrëveshje. De Jong sheh t’i shuhet një ëndërr, ajo e të luajturit për fanellën e Barcelonës, ndërkohë që drejtuesit e klubit, përpëliten për të siguruar të ardhura, në krizën më të thellë financiare që klubi nga Katalunja ka parë ndonjëherë.