Spanjë, Cerezo i zhgënjyer me Griezmann, tek Atletico mendojnë për Dybalan…

Sport

Antoine Griezmann është kthyer në lojtarin më të përfolur të merkatos menjëherë sapo francezi lajmëroi se do të largohet nga Atletico Madrid në fund të këtij sezoni. Spekulimet e shumta e lidhin kampionin e botës me një kalim te Barcelona, ndonëse nga ana e katalanasve këto zëra janë mohuar. Presidenti i Atleticos, Enrique Cerezo është shprehur se më shumë se i mërzitur, ai është i zhgënjyer për këtë vendim të Griezmann. Numri 1 i klubit ‘rojiblancos’ thotë se nuk e priste që francezi të merrtë një vendim të tillë, duke qenë se tek Atletico të gjithë kanë qenë të gatshëm të plotësojnë të gjitha dëshirat e 28-vjeçarit. Megjithatë Cerezo i uron fat Griezmann dhe deklaron se pavarësisht se ai do të largohet si një yll i skuadrës, për Diego Simeonen nuk do të përbëjë problem pasi do afrohen emra të tjerë të mëdhenj.

Pikërisht një prej këtyre emrave të përfolur për një kalim tek Atletico është Paulo Dybala. Argjentinasi nuk është shumë i kënaqur me minutazhin që ka patur gjatë këtij sezoni tek Juventus, prandaj një largim nga Torino është mëse i mundshëm. Kjo pakënaqësi e Dybalas është konfirmuar edhe nga agjenti i lojtarit, ndaj Atletico mendohet të jetë vënë në lëvizje. Për kartonin e Griezmann, skuadra madrilene pretendon të arkëtojë rreth 120 milionë euro, aq sa është edhe klazuola e tij në kontratë. Ndërsa për të sjellë Dybalan në ‘Wanda Metropolitano’, kryeqytetasit madrielnë janë të gatshëm të paguajnë në arkat e Juventus deri në 100 milionë euro.