Pas shumë spekulimesh vetë Presidenti Josep Maria Bartomeu konfirmoi këtë javë takimin me agjentin e sulmuesit Antoine Griezmann. Gazetat spanjolle e patën raportuar këtë lajm që në muajin janar, ku theksohej se katalanasit kishin tashmë marrëveshje për ta transferuar 27-vjecarin e Atleticos në verë. Ky raportim pati ardhur një muaj pasi klubi madrilen kishte kallxuar në FIFA Barcelonën për qasje përtej rregullave ndaj lojtarëve të kontraktuar me një klub tjetër. Rreth 5 muaj më vonë, Bartomeu është detyruar tashmë të pranojë të paktën një pjesë të historisë.
“Takimi ka ndodhur në muajin tetor, ishte thjesht një takim, asgjë më tepër. S’ka nevojë për të tjera spekulime” ka theksuar më tej numri një i klubit katalan duke mos dashur të tregojë më tepër. Duke folur për radion RAC1, Bartomeu e përshkroi takimin të ndodhur teksa Griezmann kishte qenë pushim, ai këmbënguli se “nuk ishte mirë të flitej për lojtarë të tjerë që nuk janë të klubit”, ndërsa kujtoi se francezi ka një kontratë me Atleticon deri në vitin 2022. Por përtej këtij rrëfimi të numrit 1 të katalanasve, e vërteta është se edhe mes lojtarëve të Barcelonës ka një pritshmëri se kjo lëvizje mund të ndodhë. Griezmann së fundmi mori lëvdata nga Luis Suarez, ndërsa uruguaiani thoshte se në Camp Nou “ai do të ishte i mirë se ardhur”.